Aktualitet

Aksident në Lezhë-Laç, plagosen dy të huaj!

Aksident me dy të plagosur në aksin Lezhë-Laç në afërsi të fshatit Spiten. Paraprakisht, bëhet e ditur se të lënduar mbetën dy shtetas të huaj që u dërguan në spitalin e Lezhës dhe më pas në të Traumës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Aksidenti u shënua rreth mesnate dhe mësohet se u përplasën dy makina.

Në njërën prej makinave të përfshira në aksident ishin dy shtetasit e huaj, ndërsa automjeti tjetër u gjet i braktisur. Policia e Lezhës nisi hetimet dhe është vënë në kërkim të ndonjë personi që mund të jetë lënduar ose larguar nga vendi i ngjarjes. Vazhdon puna hetimore për zbardhjen e rrethanave.

Një aksident rrugor me vdekje ndodhi dje në Gjepalaj të Shijakut. Një 76 vjeçare u përplas nga një makinë me drejtues fqinjin e saj. Për fat të keq, gruaja e moshuar nuk mundi t’iu mbijetojë dëmtimeve të rënda. Policia në vendin e ngjarjes po zhvillon hetime. Drejtuesi i mjetit, një i ri i moshës 23-vjeç u shoqërua nga uniformat blu për të dhënë sqarime.

Njoftimi zyrtar i një dite më parë: 

Rreth orës 08:40, në Gjepalaj, Shijak, shtetasi K. K., 23 vjeç, duke dalë nga banesa me automjet ka aksidentuar në rrugë këmbësoren, shtetasen M. K., 76 vjeçe, e cila si pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Aksidentet rrugore që ndodhën në dhjetor 2023 u rritën ndjeshëm në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, teksa pjesa më e madhe e tyre shkaktohen nga të rinjtë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në muajin dhjetor 2023 numërohen 157 aksidente rrugore, nga 105 që ndodhën në dhjetor 2022, me një rritje prej 49.5%.

Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 200 persona në muajin dhjetor 2023. Në të njëjtën periudhë të në viti më parë, numri i të aksidentuarve ishte 90 persona.

Në dhjetor 2023 numri i të dëmtuarve mëse u dyfishua. Rritja e ndjeshme është shënuar te të aksidentuarat femra, duke u rritur në 64, nga 30 në dhjetor 2023. Për gjithë vitin 2023, në vend ka pasur gjithsej 1.285 aksidente, me një rritje prej 10.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Gjithsej kishte 1731 të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur) në vitin 2023, me një rritje prej 8.2% në krahasim me vitin e mëparshëm. Sipas INSTAT-it, aksidentet rrugore, në 74,5% të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 25,5% të numrit të aksidenteve gjithsej.