Aktualitet

Aksident me vdekje në Mat/Në Kamëz, makina përplasi një vajzë 9 vjeçe!

Aksident automobilistik me vdekje në Mat. Në rrugën dytësore të fshatrave Kurdari-Suç, një këmbësor u përplas nga një automjet me drejtues një 19-vjeçar. Për fat të keq, i lënduari nuk mundi t’iu mbijetonte dëmtimeve të marra dhe ndërroi jetë në spital. Për veprime të mëtejshme, blutë shoqëruan në komisariat shoferin e makinës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit fatal, më i fundit që përgjak rrugët tona.

Njoftimi zyrtar:

Me datë 06.10.2024, rreth orës 09.30, në rrugën dytësore të fshatrave Kurdari-Suç, shtetasi E.S., 19 vjeç, teksa drejtonte automjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin E.D., (këmbësor), i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Ndërkaq, orët e fundit, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan pesë shtetas përfshirë një 45 vjeçar që në Kamëz aksidentoi një vajzë 9 vjeçe me makinën e tij “Opel”. E mitura u dërgua në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Mes të prangosurve nga Rrugorja e kryeqytetit është dhe një 60-vjeçar që duke drejtuar mjetin tip “Nissan” në rrugën “Teodor Keko”, u përplas me motomjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin G.A. 59 vjeç, banues në Greqi, i cili u dëmtua dhe po merr mjekim spitalor.

– S. N., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;

– F. N., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Teodor Keko”, duke drejtuar mjetin tip “Nissan”, është përplasur me motomjetin tip “BMV”, me drejtues shtetasin G. A. 59 vjeç, banues në Greqi. Si pasojë drejtuesi i motomjetit është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;

– D. B., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Uillson”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga;

– Y.H., 45 vjeç, banues në Kamëz, pasi në rrugën “Demokracia”, duke drejtuar automjetin tip “Opel” ka aksidentuar një të mitur 9 vjeçe, e cila si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;

– A. H., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në Paskuqan, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe motomjeti ka dalë nga rruga.

Materialet i kaluan Prokurorisë.