Aktualitet

Aksident me vdekje në jug të vendit, humb jetën një 72 vjeçar!

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët e vendit. Në orët e para të mëngjesit, një këmbësor gjeti vdekjen në aksin Sarandë-Tuneli i Skërfices, në afërsi të rrethrrotullimit të fshatit Bajkaj. 72 vjeçari i cili ndërroi jetë gjatë transportit për në spitalin e Sarandës u përplas nga një makinë tip “Benz” me drejtues një 63 vjeçar që humbi kontrollin e mjetit të tij dhe u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme. Po ashtu, u përplas me një tjetër “Benz” pasi aksidentoi kalimtarin. Në njoftimin zyrtar thuhet se “grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”.

Njoftimi i policisë:  

Sot, rreth orës 03:45, në aksin rrugor Sarandë-Tuneli i Skërfices, në afërsi të rrethrrotullimit të fshatit Bajkaj, shtetasi E. O., 63 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Benz” dhe ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin L.Xh., 72 vjeç, e më pas, është përplasur me një tjetër automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin V.G.

Si pasojë e aksidentit, shtetasi L. Xh. ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spitalin e Sarandës. Drejtuesi i automjetit, shtetasi E.O., u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Vitin e kaluar, numri i aksidenteve rrugore shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve me leje drejtimi 0-3 vjet ka rënë me 12.9%, krahasuar me një vit më parë, pra 2022-shin. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin mbi aksidentet për vitin 2023.

Drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vite leje drejtimi kanë shkaktuar 40% të aksidenteve, ndjekur nga kategoria 6-9 vjet leje drejtimi që zë 18.8%. Ndër të aksidentuarit (të vrarë dhe të plagosur) gjatë tre viteve të fundit, meshkujt zënë rreth 70% të të aksidentuarve gjithsej.

Drejtuesit e mjeteve të moshës 25-34 vjeç, shkaktojnë numrin më të lartë të aksidenteve, ku të aksidentuar janë më shumë meshkuj 71% dhe 29% femra. Megjithatë vihet re se janë meshkujt ata që zënë përqindjen më të lartë të të aksidentuarve për çdo grupmoshë të drejtuesit, duke lënë të kuptojmë se drejtuesit meshkuj janë ata që kryejnë pjesën më të madhe të aksidenteve rrugore.

Në vitin 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së shtunë dhe të diel me 194 aksidente secila, duke zënë përkatësisht 15,1% të aksidenteve gjithsej. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë intervalit kohor 08:00 – 12:00.