Një aksident u shënua sot në aksin kombëtar Berat-Lushnjë, në fshatin Moravë. Një automjet tip Toyota i preu rrugën një makine me targa gjermane ku udhëtonin pjesëtarë të një familjeje. Mjeti me drejtues shtetasin Ëngjëll Berberi, si dhe me pasagjerë bashkëshorten e tij e dy fēmijët e mitur të moshave 9 e 14-vjeç përfundoi në kanal, si pasojë e manovrës së papritur. Ata morën lëndime dhe u transportuan drejt Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku janë nën kujdes mjekësor.
Mjekët konfirmojnë se për fat të mirë, ata nuk janë në rrezik për jetën. Që të katërt kanë pësuar shembje në pjesë të ndryshme të trupit. Ndërkaq, mësohet se drejtuesi i makinës që shkaktoi aksidentin, shtetasi Brahim Agalliu u shoqërua në polici për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen. Nga testi Drager, nuk rezultoi nën efektin e pijeve alkoolike apo të ndonjë substance tjetër të ndaluar.
Në vendngjarje shkuan efektivë të Policisë Rrugore që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të aksidentit, më i fundit që shënohet në rrugët tona. Më herët gjatë ditës, zv.kryeministrja e njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku iu bëri thirrje qytetarëve për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa publikoi edhe statistikat e aksidenteve për 5-mujorin e parë të vitit.
Ndërsa numri i mjeteve në rrugë rritet, është e rëndësishme të respektojmë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kujdesemi për sigurinë tonë dhe të përdoruesve të tjerë. Statistikat e 5-mujorit të parë të vitit 2024 raportojnë një ulje të indeksit të vdekshmërisë në aksidentet rrugore, i cili rezulton në 10.1 të vrarë për çdo 100 aksidente ose 40% më pak krahasuar me muajt janar-maj të vitit të kaluar u shpreh Balluku.
Sipas zyrtares së lartë të qeverisë, gjatë këtij 5-mujori, ka 13% më pak viktima krahasuar me muajt janar -maj 2023. Po ashtu, Balluku vuri në dukje se 28% e totalit të aksidenteve rrugore janë shkaktuar nga drejtues mjeti të grupmoshës 25-34 vjeç, 8% më pak krahasuar me periudhën janar-maj të vitit 2018.
Ndërsa përgëzojmë sjelljen e përmirësuar të drejtuesve të mjeteve, jemi përpara një situate ku sjellja e gabuar e këmbësorit në rrugë ka shkaktuar 16 viktima, 60% më shumë se në janar-maj të 2023-shit, tha ministrja Belinda Balluku.