Aktualitet

Aksident i rëndë me një të plagosur në Kuç-Qeparo!

Aksident i rëndë rrugor në jug të vendit. Në mbëmje vonë, në aksin Kuç-Qeparo, një automjet doli nga rruga dhe trafikndarësja hyri mespërmes makinës. Për pasojë, drejtuesja e mjetit mori plagë të rënda e është dërguar në spital, ku ndodhet në gjendje shëndetësore kritike. Shpejtësia e lartë e lëvizjes, si dhe lagështira në rrugë besohet se u bënë shkak për aksidentin e orës 23:45 minuta, pra rreth mesnate.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 337 aksidente rrugore, nga 263 që kanë ndodhur për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar kështu një rritje me 43,3% të numrit të tyre vetëm për tre mujorin janar-mars.

107 aksidente me 147 persona të lënduar, disa me pasojë vdekjen, janë regjistruar vetëm në muajin mars. Ekspertët e statistikave bëjnë të ditur se përgjatë tremujorit të parë të 2024-ës, vdekshmëria në aksidente rrugore është 9 për 100 aksidente, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 17,5 për 100 aksidente rrugore.

Drejtuesit e mjetit janë shkaktarë të aksidentit në 87,9 % të rasteve, sa i takon grupmoshës, shumica janë 25 deri në 34 vjeç. Aksidente kanë ndodhur në të gjitha rrugët e Shqipërisë, duke përjashtuar qarkun e Dibrës, i cili është i vetmi ku përgjatë muajit mars nuk pati asnjë të tillë, ndërsa kryesojnë Tirana dhe Lezha, me numrin më të lartë.

Ajo çfarë ekspertët kanë konstatuar është se mesdita shënon periudhën në të cilën është regjistruar shumica e aksidenteve rrugore në vendin tonë.

Ndërkaq, në një tjetër ngjarje aksidentale, por jo rrugore, raportohet se ndërroi jetë pronari i një hoteli në Dhërmi, i cili bashkë me dy punonjës ranë në kontakt me energjinë elektrike në kohën kur po punonin me ndriçimin e jashtëm. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme. Ata u dërguan në spital, por për fat të keq, pronari nuk ka mundur t’iu mbijetojë dëmtimeve. Gjendja e dy punonjësve, mbetet e rëndë.

Në njoftimin policor u raportua:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për tre shtetasit të cilët ranë në kontakt me energjinë elektrike në ambientet e jashtme të një hoteli në Dhërmi, ju informojmë se shtetasi A.M., rreth 40 vjeç, pronari i hotelit, ka ndërruar jetë për shkak të dëmtimeve, ndërsa dy punonjësit e dëmtuar do të transportohen për ndihmë mjekësore të specializuar në Tiranë.