Bota

Aksident hekurudhor në Çeki, viktima e të plagosur!

Aksident hekurudhor në Çeki, të paktën katër persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën pasi një tren pasagjerësh u përplas me një të mallrave. Ministri i Brendshëm, Vit Rakushan tha se përplasja ndodhi dje në mbrëmje vonë në qytetin Pardubice, rreth 100 kilometra në lindje të Pragës. Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet.

Rakushan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë. Ministri i Transportit, Martin Kupka deklaroi se rruga kryesore mes Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllej ndërsa autoritetet hetonin përplasjen.

Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit, deklaroi Kupka.

Shkaku i aksidentit po hetohet aktualisht. Kompania shtetërore e trenave, Hekurudhat Çeke tha se binarët mund të qëndrojnë të mbyllur për gjithë ditën e kjo “për shkak të shkallës së dëmeve të aksidentit”.

Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 pasagjerë ishin në trenin me shpejtësi të lartë që po shkonte për në qytetin Koshice, në Sllovakinë lindore. Viktimat nuk janë identifikuar ende. Makinistët mbijetuan, siç njoftoi agjencia çeke e lajmeve.

Pas aksidentit, shtatëmbëdhjetë persona u pranuan në departamentin e Urgjencës të spitalit Pardubice. Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.