Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku ka inspektuar sot punimet për aksin rrugor Thumanë-Kashar ku ka bërë me dije se të gjithë banorët, banesat e të cilëve janë shembur për shkak të punimeve, do të përfitojnë bonus qeraje deri në akomodimin e tyre të plotë në banesat sociale.
Balluku tha se akuzat e bëra se banorët të cilëve do u prisheshin shtëpitë, do mbeteshin në qiell të hapur, janë bërë për përfitime politike.
“Janë lëvizur të gjitha ato pengesa që kemi pasur, edhe shtëpitë e fundit që qëndronin në shtratin e rrugës. Duke u kujdesur për banorët, të cilët edhe ata me shtëpitë e palegalizuara kanë marrë bonusin e qerasë për t’u sistemuar fillimisht dhe më pas është detyrim i bashkisë së Vorës për t’I akomoduar në banesat sociale. Pra askush nuk do mbetet jashtë siç është thënë ditët e fundit, totalisht një përdorim i politikës”- tha Balluku.
Ndër të tjera ajo tha se ky aks rrugor është ndër më të rëndësishmit në Shqipëri duke e cilësuar si autostradën që përmbush të gjitha kushtet për qarkullimin me shpejtësi deri në 130 km në orë.
“Kjo është një nga autostradat më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë. Kjo përmbush të gjitha kushtet në aspektin edhe të shpjetësisë. Gjithmonë na thonëpse në vendin tonë nuk kemi autostrada me 130 km në orë. Kjo është një autostradë me 130 km në orë dhe do pasohet nga të gjithë pjesët e tjera të korridorit blu që do ndërtohen me të gjitha parametrat kategori A, ashtu siç është kjo”- shtoi Balluku.
Më tej, zv.kryeministrja përshkoi me makinë aksin rrugor duke bërë me dije se është e mundur që punimet të përfundojnë deri më datë 30 qershor për shkak të ritmit të përshpejtuar të punës.