Aktualitet

AK: 4 gjoba për shkelje të rënda në tregun e konkurrencës!

Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba deklaroi sot se gjatë vitit të kaluar u kryen 15 monitorime në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë tek konsumatori, ndërsa u vendosën katër gjoba në masën 224 milion lekë. Sot, Biba raportoi në Kuvend, para Komisionit të Ekonomisë dhe Financave lidhur me veprimtarinë e punës së institucionit që drejton për vitin 2022.

Gjatë vitit 2022 u zhvilluan 11 procedura hetimore për marrëveshje të ndaluara në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të vajit vegjetal, tregut të barnave e pajisjeve mjekësore, tregtimit me shumicë të karburantit e importit të shitjes me shumicë të plehrave kimike, importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të çimentos e prodhimit të betonit në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Ndër të tjera, hetime për abuzim në pozitën dominuese kanë qenë tregu ku operojnë subjektet financiare jo banka, tregu i ofrimit të shërbimit të instrumenteve matës nëpërmjet instrumenteve shpërndarës të karburanteve dhe gazit të lëngshëm, e të tjerë.

Biba theksoi se gjobat e vendosura nga AK për vitin 2022 ishin në nivelin më të lartë të historikut 18-vjeçar të AK-së.

Gjobat u vendosën për shkelje të rënda në tregun e konkurrencës, përkatësisht në tregun e importit të tregtimit me shumicë të plehrave kimike, në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto, në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të TIA-s, si dhe në tregun e importit të grurit dhe miellit. Gjobat kapin vlerën e mbi 224 milion lekëve, një shifër kjo rekord në historikun 18-vjeçar të AK-së.

Për situatën në tregun celular tha se jemi në kushtet e një duopoli e shtoi se një situatë e ngjashme po vërehet në të gjithë botën, për shkak se investimet që kërkon ky treg janë të larta dhe kompanitë e kanë të pamundur t’i përballojnë. Biba bëri të ditur se këto tregje janë nën monitorim të vazhdueshëm.