Princesha e Norvegjisë Martha Louise do të martohet me partnerin e saj amerikan, shtriganin e vetëquajtur Durek Verrett, verën e ardhshme. Ajo hoqi dorë nga detyrat e saj mbretërore, vitin e kaluar, për të drejtuar biznesin e mjekësisë alternative që ndan me të fejuarin e saj. Verrett është i njohur për promovimin e praktikave të pabaza mjekësore. Ai ka sugjeruar se kanceri është një zgjedhje dhe ka shitur varëse medalioni në internet që thuhet se largojnë Covid-19, ndërsa Princesha Martha Louise ka pohuar se është në gjendje të komunikojë me engjëjt.
Ata njoftuan fejesën e tyre në qershor 2022 dhe morën bekimin e mbretit. Dasma do të mbahet në qytetin norvegjez të Geiranger, në brigjet e një fjordi të caktuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. “Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur që jemi në gjendje të festojmë dashurinë tonë në mjedisin e bukur të Geiranger. Për ne do të thotë shumë të mbledhim të dashurit tanë në një vend që është kaq i pasur me histori dhe natyrë spektakolare”-, tha çifti.
Guruja i Hollivudit, i cili e përshkruan veten si një “Shamani i Gjeneratës së 6-të” ka pohuar se është ringjallur nga të vdekurit dhe se ka parashikuar sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara dy vjet përpara se të ndodhnin. Verrett, i cili është afro-amerikan, ka pranuar se besimet e tij mund të jenë të pakëndshme për disa dhe ka argumentuar se kritikat me të cilat përballet janë për shkak të racizmit. Ndërkohë, Princesha Martha Louise ka ngjallur polemika në Norvegji për dekada të tëra për përfshirjen e saj në trajtime alternative, duke përfshirë fillimin e një shkolle që synonte të ndihmonte njerëzit “të hynin në kontakt me engjëjt e tyre”.