Bota

AI: Protestuesit në Iran u dhunuan dhe abuzuan seksualisht!

Forcat iraniane të sigurisë kanë përdorur dhunimin dhe llojet e tjera të abuzimit seksual për të frikësuar protestuesit gjatë luftës së shtetit kundër protestave gjithëkombëtare, të cilat nisën shtatorin e kaluar me moton: “Gra, Jetë, Liri”. Kështu deklaron Amnesty International në një raport të publikuar sot.

Dhuna seksuale u përdor kundër grave, burrave dhe fëmijëve, sipas raportit të organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, i cili dokumentoi vuajtjet e tmerrshme të 45 të mbijetuarve. Në mesin e të intervistuarve, në këtë raport ishin 26 burra, 12 gra e shtatë fëmijë, ndaj të cilëve forcat iraniane të sigurisë kryen dhunë seksuale. Asnjë zyrtar iranian nuk është akuzuar deri tani apo përndjekur për krimet seksuale kundër protestuesve të burgosur.

Gratë iraniane iu prinë protestave gjithëkombëtare, të cilat u nxitën nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin policor, në shtator të vitit të kaluar. Amini ishte arrestuar në Teheran, për shkak të pretendimeve nuk e mbante siç duhet hixhabin.

Lëvizjes së protestave iu bashkuan shumë burra e djem të zemëruar nga kufizimet e gjata, si dhe mënyrat e tjera shtypëse ndaj grave në Iran. Protestat e humbën hovin që nga fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë. Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara.

Raporti ynë konstatoi se agjentët e Inteligjencës e të sigurisë në Iran përdorën dhunimin dhe format e tjera të dhunës seksuale për t’i torturuar, ndëshkuar e për t’iu shkaktuar dëme afatgjate fizike e psikologjike protestuesve, përfshirë fëmijëve 12 vjeç.

Nga 45 të mbijetuarit e intervistuar nga Amnesty, 16 ishin dhunuar, përfshirë gjashtë gra, shtatë burra, një 14-vjeçare dhe dy djem të moshave 16 e 17 vjeç. Katër gra dhe dy burra u dhunuan në grup nga anëtarët e forcave të sigurisë.

Shkopinj metali dhe druri, shishe qelqi e zorra uji u përdorën për të dhunuar të burgosurit në qendrat e paraburgimit e në automjetet e policisë, si dhe në shkolla e në godina banimi. Shumica e viktimave nuk ishin ankuar kundër dhunuesve nga frika për hakmarrje sipas Amnesty-t, që shtoi se edhe në rastet e rralla kur viktimat u treguan prokurorëve për tmerrin që përjetuan, dëshmitë u shpërfillën.