Franca dhe Britania do të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme për të ndaluar agresionin rus, thanë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
Të dy liderët morën pjesë në festimet e Ditës së Armëpushimit, pra përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Paris.
Sipas BBC, Macron ftoi personalisht kryeministrin britanik, me rastin e 120-vjetorit të Antante Cordiale, Mirëkuptimi i Përzemërt midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, i cili hapi rrugën për një bashkëpunim më të madh diplomatik midis dy vendeve.
Në një deklaratë nga Pallati Elysee, të dy udhëheqësit riafirmuan angazhimin e tyre “për të mbështetur Ukrainën në mënyrë të palëkundur dhe për aq kohë sa është e nevojshme për të penguar luftën e agresionit të Rusisë “.
LEXO EDHE: Kryeministri polak Tusk: Së shpejti data për armëpushim në Ukrainë!
Megjithatë, të dy udhëheqësit nuk thanë nëse do ta lejonin Ukrainën të përdorte raketat “Storm Shadow” për sulme brenda territorit rus. Kujtohet se SHBA nuk i ka dhënë leje Ukrainës që të përdorë armët e veta brenda territorit rus për të mos përshkallëzuar krizën.
E gjithë kjo vjen në kohën e ndryshimit të afërt në Shtëpinë e Bardhë dhe inaugurimit në janar të Donald Trump, i cili i ka kërkuar palës ruse të mos e përshkallëzojë luftën.