Live From Tirana Sociale

Agjenti imobiliar Armand Shkëmbi: “Ja vendet më të mira për të blerë një apartament në Tiranë!”

I ftuar në “Live From Tirana” ishte agjenti imobiliar Armand Shkëmbi, për të folur rreth çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Një fenomen i pashpjegueshëm nga specialistët, është gati e pamundur për një të ri që të blejë një shtëpi në Tiranë nëse suporti i vetëm vjen nga skemat e pagesave standarde të Shqipërisë.

Sa e vështirë është për një çift të ri të blejë një apartament në Tiranë?

Kur themi një çift i ri, supozojmë se flasim për një burrë dhe grua në fund të 20-ave dhe fillim të 30-ave. Të dy kanë rroga nga 1,000,000 lekë, kanë mundësi për të bërë downpayment me 20%-30% dhe të paguajnë një këst 600,000 në muaj për ta shlyer, me çmimet më të mira që tregu ofron nga 1000 deri në 1600 euro metri katror.

Përse ekzistojnë këto çmime?

Rritja e çmimeve është radikale dhe e pashpjegueshme, përveç atyre që thonë “ka kërkesë”. Ku është kjo kërkesë? Nuk është reale. Statistikat e 5 muajve më parë nxjerrin mbi 50,000 apartamente bosh, ndoshta ka shkuar në 60,000 mos gaboj tani. Problemi i tregut janë njerëzit e pataksuar, njerëzit që kanë 10 prona dhe thonë “po pse mos t’i mbajmë?”. Duan ta mbajnë si duan ata dhe ta shesin si duan ata. Do t’i mbash? Mbaji, por prano të taksohesh siç bëjnë në perëndim. Duke pasur shumë prona, ti tregon se ke një nivel tjetër ekonomik dhe mund ta përballosh atë taksim. Në këtë aspekt mund të them se mungon politikbërja në Shqipëri, shteti duhet të taksojë. Nuk ndodh kështu. Shtëpitë janë bërë si një formë depozitimi në Shqipëri, për të ruajtur vlerën e pasurisë në mënyrë që të konsolidohet.

Armandi jep një shembull se si kjo situatë duket në retrospektivë.

Imagjino nëse makinat e përdorura nuk do të shiteshin dot. Çmimi i makinave të reja do të rritej tejmase, kurse ato të përdorura thjesht do të rrinin bosh dhe do të mbledhin pluhur. Ekzistenca e makinave të përdorura nuk mjafton, duhet patjetër leja e përdorimit të tyre. Me këtë faktor në treg, moderohet çmimi i makinave të reja. Diçka e atillë po ndodh këtu.

Atëherë, pse vazhdojnë ndërtimet?

Kujto shembullin e makinës. Pallatet e reja dalin shumë në treg dhe pjesa më e madhe e tyre blihen nga 4 grupe: emigrantët, ndërtuesit, spekulatorët dhe pronarët e tokës. Të gjithë këta i lënë bosh, nuk janë gati t’i shesin me çmim tregu.

Kur është koha më e mirë për të shitur një apartament dhe kur është më e keqja?

Periudha më e mirë për të shitur është vera dhe pranvera, sepse në përgjithësi njerëzit janë më të gatshëm të shpenzojnë para. Për të blerë, dimri. Njerëzit nuk shpenzojnë aq shumë dhe ndoshta mund të gjesh çmime më të mira. Ja vlen ta provosh, nuk humb asgjë.

Cilat janë zonat që preferohen më shumë?

I ndajmë në dy, ato ekonomike dhe të preferuara. Për ato të preferuara, për momentin, kemi liqenin, qendrën e Tiranës si Unaza e vogël dhe Bulevardi i Ri. Japin apartamente premium, por çmimet shkojnë shumë. Afër Gardës, për shembull, kam dëgjuar për çmime si 4500 euro metri katror, por nuk është se kam shitur vetë. Di ta them me siguri se me çmimet po luhet shumë, ama. Këtu te zyrat ku jeni ju shkojnë për 2000-2500 euro, gjithashtu. Ato më ekonomike janë Fresku, zonat afër QTU dhe fundi i bulevardit. Harroni zona si Astiri ose Yzberishti, kanë kapërcyer çmimet mbi 1000 euro. Fundi i Bulevardit është vendi më i mirë për të investuar sot për buxhetarët, në varësi të buxhetit sigurisht. Aty po zhvillohet Tirana e re dhe ju ftoj ta konsideroni.

Çfarë këshillash do t’i jepje një çifti të ri?

Sugjeroj të shikoni 3 deri në 5 prona, jo vetëm një. Kurrë mos krijoni lidhje emocionale me një pronë, qëndroni të ftohtë dhe mendoni logjikisht. Diçka tjetër, duhet të kuptoni se funksionojmë si Stambolli. Kjo do të thotë, çmimi fillestar që shitësi jep është jashtë standardes së tregut, sepse ai niset me pritshmërinë se blerësi do t’i japë një çmim më të ulët. Kjo është një dinamikë prezente dhe mos kini frikë nga ajo. Testoni ujërat, jepini një çmim poshtë standardes dhe dalë e ngadalë rrituni me qëllim që të arrini një mesatare të dëshiruar. Së fundmi, zona është mbret. Çmimi vërtitet rreth zonës ku apartamenti ndodhet.

A do të ketë rënie të këtyre çmimeve?

Kam dy vite që bëj parashikime të tilla, u detyrova të ndaloj. Në këtë vend nuk funksionon logjika, ne kundërshtojmë natyrën. Po ndërtojmë shumë, për një popullatë dhe ekonomi që nuk ka nevojë për këtë nivel. Ndërtuesit gjithashtu janë bërë pesimistë, tregu ftohet dhe ngrohet në një periudhë graduale. Mendoj se jemi në periudhën e ftohjes.

Çfarë ndodh me pjesën tjetër të Shqipërisë jashtë Tiranës?

Bregdeti ka pasur një rritje të madhe, nga jugu në veri. Jo vetëm që blejmë ne, por edhe shqiptarë të diasporës, Maqedonisë, Kosovës dhe Europës Qendrore. Kërkesa ka qenë e fortë, por duket sikur po bie. Kam një koleg që thotë se nuk po shet dot, çmimet kanë kaluar nga grupi që ata po targetonin. Çmimet për shtëpitë kanë shkuar nga 200,000 deri në 250,000 euro, një nivel që as Europa Qendrore dhe diaspora nuk i përballon dot.