Aktualitet

Agjencia e Pasurive të Sekuestruara merr në administrim kontenierët me mbetje të dyshuara të rrezikshme!

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në dorëzim 102 kontenierët, të cilët u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit e që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme. I gjithë procesi u realizua përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhrit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontenierëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore e shëndetësore.

Të përfshirë në planin e masave janë një sërë institucionesh, ku përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Hetimit Doganor, si edhe Prokuroria e Durrësit.

Pas shkarkimit të kontenierëve nga anija, ato janë transportuar në masa rigoroze sigurie në destinacionin final ku do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontenierët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë.

Para 10 ditëve, prokurorët urdhëruan që kontejnerët të konfiskoheshin e të ruheshin “në një vend të sigurt” për monitorim. Institucioneve të ndryshme iu kërkua të kryenin teste laboratorike lidhur me materialin që përmbajnë. Dyshimet për mbetje të rrezikshme në anijen që fillimisht u nis nga Shqipëria drejt Tajlandës, i ngriti Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN). Më 28 tetor, Jim Puckett, kreu i BAN-it, iu tha gazetarëve në Durrës se në anije janë “2.102 tonë mbetje të rrezikshme”.

Pati shumë deklarata mbi këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme ndërsa ne themi që jemi 95% të sigurt që janë.

Besohet se janë mbetje të krijuara gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i kompanisë turke “Kurum International”, në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Më 21 gusht, Prokuroria e Durrësit dhe Zyra Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), nisën hetimet. Disa herë, qeveria shqiptare ka thënë se lajmet për “transportim të mbetjeve të rrezikshme” janë “aludime”. Kryeministri Edi Rama, pati thënë se nga Shqipëria nuk janë transportuar mbetje të rrezikshme në Tajlandë apo Kinë.