Të shumta janë mesazhet e ngushëllimit pasi sot u mësua lajmi i ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe mbylli sytë në moshën 88 vjeçare. Në vijim priten më shumë detaje rreth ceremonisë së lamtumirës për personalitetin e shquar të letërsisë e kulturës shqiptare.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndau një mesazh kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare. Në rrjetet sociale shkroi se, Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.
Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, Ismail Kadare.
Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe, u shpreh Nikolla në një reagim. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror.
Reagime dhe nga mediat e huaja. Ja çfarë shkruan francezja AFP:
Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, 88 vjeç, autor i një vepre monumentale nën tiraninë komuniste të Enver Hoxhës, vdiq sot në mëngjes. Kadare vdiq nga një atak në zemër, tha një spital në Tiranë. Atje shkoi pa shenja jete, mjekët i bënë një masazh kardiak, por ai vdiq rreth orës 06:40 GMT (08:40 ora lokale).
Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, Ismail Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit. Shqipëria jetoi për dekada nën diktaturën e Enver Hoxhës, një nga më të mbyllurat në botë.
“Ferri komunist, si çdo ferr tjetër, është mbytës”, i tha shkrimtari AFP-së, në një nga intervistat e tij të fundit, në tetor të vitit të kaluar.
“Por në letërsi, ajo shndërrohet në një forcë jete, një forcë që të ndihmon të mbijetosh, të mundësh diktaturën kokë më kokë”, shtoi ai. Letërsia më dha gjithçka që kam sot, ishte kuptimi i jetës sime, më dha kurajën për të rezistuar, lumturinë, shpresën për të kapërcyer gjithçka.
Nga të gjitha anët e vendit vijojnë mesazhet e artistëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, miqve e qytetarëve të thjeshtë të tronditur nga lajmi për vdekjen e Ismail Kadaresë, por vepra e tij nuk vdes kurrë.