Bota

Afganistani synon të vaksinojë miliona fëmijë kundër poliomielitit!

Afganistani nisi një tjetër fushatë të vaksinimit kundër poliomielitit, e cila synon mbrojtjen e rreth 11.2 milion fëmijëve nën moshën 5-vjeçare. Kjo u njoftua sot nga Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga talebanët. “Fushata katërditore mbarëkombëtare, e dyta për këtë vit, pritet të mbulojë 34 provincat e vendit”, – thuhet në një deklaratë.

Ne do të bëjmë çdo përpjekje dhe do t’i vazhdojmë fushatat e vaksinimit kundër poliomielitit, ashtu si dhe shërbimet plotësuese shëndetësore derisa ta zhdukim poliomielitin nga Afganistani”, tha ministri Noor Jalal Jalali.

Ai u bëri thirrje klerikëve fetarë, të moshuarve në komunitet, si dhe prindërve, që të luajnë rolet e tyre në luftën kundër sëmundjejes, e cila mund të çojë në paralizë dhe vdekje. Në muajin dhjetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se riatdhesimi i emigrantëve afganë nga Pakistani fqinj, e ka rritur rrezikun e përhapjes së poliomielitit.

Që atëherë, Afganistani ka kryer disa fushata vaksinimesh. Katër raste të këtij virusi janë regjistruar në Afganistan vetëm këtë vit, sipas Abdul Quddus Baryalait, drejtor i Qendrës kombëtare për Çrrënjosjen e Poliomielitit. Vitin e kaluar, sipas tij, janë regjistruar gjithsej gjashtë raste.

Fushatat e vaksinimit në Afganistan dhe Pakistan shpesh janë sfiduese, për shkak të teorive konspirative se vaksinat e poliomielitit shkaktojnë infertilitet ose se vaksinuesit janë spiunë. Para se të merrnin pushtetin në gusht të vitit 2021, talebanët kanë ndaluar vajtjen e vaksinuesve nga shtëpia në shtëpi, në zonat që ata kanë kontrolluar.

Megjithatë, Kombet e Bashkuara i kanë bindur që ta rinisin programin e vaksinimit në të gjithë vendin, pas kthimit të tyre në pushtet.