Bota

Afër presidencialeve amerikane, fushata drejt fundit!

Kandidati republikan për president, Donald Trump dhe rivalja demokrate, Kamala Harris akuzuan njëri-tjetrin për thellimin e mosmarrëveshjeve në një vend thellësisht të polarizuar, ndërsa fushata presidenciale hyri në javën e saj të fundit në Amerikë.

Ish-presidenti republikan veshi një jelek fosforeshent ngjyrë portokalli dhe u ngjit në sediljen e pasagjerit të një kamioni për mbledhjen e mbeturinave në Green Bay, Wisconsin, për të tërhequr vëmendjen ndaj një komenti nga presidenti demokrat Joe Biden e tha se zbuloi “përbuzjen që udhëheqësit demokratë ndjejnë ndaj mbështetësve” të tij.

Duke marrë pyetje nga gazetarët ndërsa qëndronte i ulur në kamion, Trump deklaroi:

Presidenti Biden duhet të ketë turp nga vetja. Fajtore është edhe zv.presidentja Harris. Mbështetësit e Trump-it nuk janë mbeturina.

Por, ish-presidenti u distancua nga komediani Tony Hinchcliffe, i cili në tubimin e tij në Madison Square Garden më 27 tetor, shkaktoi stuhinë politike të javës kur tha se Porto Riko është “një ishull lundrues plehrash”.

Nuk e di kush është ai…Nuk di asgjë për të, tha Trump, duke shtuar se:

Unë e dua Porto Rikon dhe Porto Riko mua.

Zv.presidentja Harris iu bëri thirrje votuesve në Karolinën e Veriut që të zgjedhin një fillim të ri duke “e mbyllur kapitullin” për kandidatin republikan, për të cilin tha se ishte i fokusuar te ankesat e tij, në vend të nevojave të amerikanëve.

Nëse ai zgjidhet, në ditën e parë, Donald Trump-i do të hyjë në atë zyrë me një listë armiqsh. Kur të zgjidhem, unë do të hyj me një listë detyrash.

Gara është bërë edhe më e afërt në javën e saj të fundit dhe një anketim i agjencisë së lajmeve Reuters e kompanisë Ipsos  tregoi se Harris kryeson ndaj ish-presidentit Trump me vetëm 44% përkundër 43% ndër votuesit e regjistruar në nivel kombëtar, shumë brenda kufirit të gabimit. Anketime të tjera të opinionit publik tregojnë diferencë të ngushtë në shtatë shtetet e fushëbetejës që do të vendosin zgjedhjet e 5 nëntorit.

Tensionet janë në rritje. Punonjësit e administratës zgjedhore në shtetet konkurruese po përgatiten për dhunë dhe autoritetet në Florida arrestuan një burrë që kërcënoi votuesit me hanxhar. Polarizimi në Amerikë ka ngjallur mosbesim.