Aeroporti Changi në Singapor ka rihapur plotësisht terminalin 2, ndërsa punimet për zgjerimin zgjatën për rreth tri vite e gjysmë. Ndërtesës së veçantë i shtohen 226 mijë metra katrorë. Natyra është kryefjala e dizajnit, ku një ekran digjital shfaq një ujëvarë 14 metra të lartë, ndërsa koncepti plotësohet me një kopsht vertikal.
Një qiell digjital ndryshon ngjyrat në varësi të motit përgjatë ditës. Aeroporti shtoi më shumë hapësirë për dyqane dhe restorante, por në sy bie një dyqan dykatësh me verëra dhe pije alkoolike, ku baristi është një robot. Zgjerimi rrit kapacitetin e terminalit me pesë milionë njerëz. Tani aeroporti mund të përballojë 95 milionë pasagjerë në vit.
Në këtë aeroport, duke nisur nga viti 2024, zyrtarët do të prezantojnë lejen e automatizuar të imigracionit, që do t’i lejojë pasagjerët të largohen nga qyteti-shteti pa pasaporta, duke përdorur vetëm të dhëna biometrike të tyre. “Zhdoganimi i imigracionit pa pasaportë”,e ka quajtur Ministrja e Komunikimeve Josephine Teo miratimin e disa ndryshimeve në Aktin e Emigracionit të vendit. Teknologjia biometrike, së bashku me softuerin e njohjes së fytyrës, është tashmë në përdorim deri diku në aeroportin Changi në korsi të automatizuara në pikat e kontrollit të imigracionit.