Tech

Adoleshentët do të jenë më të siguruar, njihuni me risinë e fundit të Snapchat!

Snapchat ka deklaruar së fundmi se është duke punuar për ta bërë aplikacionin edhe më të sigurt për përdoruesit adoleshentë. Snap, kompania mëmë e platformës tha se do të shpërndajë një numër të veçorive dhe politikave me synim që t’i mbrojë më mirë përdoruesit e moshave nga 13 deri në 17 vjeç, duke përfshirë edhe kufizimet në sugjerimet e miqve dhe një sistem të ri për largimin e përmbajtjes së papërshtatshme për moshën.

Kompania gjithashtu ka lançuar një seri të videove në YouTube për prindërit në lidhje me veçoritë dhe një ueb-sajt të përditësuar ku vihen në pah politikat e saj të sigurisë për adoleshentët dhe kontrollit prindëror. Veçoritë e reja vijnë mes presionit në rritje në platformat e mediave sociale nga ligjvënësit, edukatorët dhe prindërit për të mbrojtur përdoruesit e rinj nga përmbajtja e papërshtatshme.

Snapchat do t’u kërkojë përdoruesve nga 13 deri në 17 vjeç që të kenë një numër më të madh miqsh të përbashkët me një llogari tjetër si një përpjekje për të shmangur që adoleshentët të shtojnë miq të cilët nuk i njohin në jetën reale. Aplikacioni do t’u shfaq gjithashtu edhe një paralajmërim nëse ata do të shtojnë një llogari që nuk ndan asnjë mik të përbashkët të Snapchat-it ose kontakte të telefonit.