Së fundmi në një intervistë me moderatoren e njohur Oprah Winfrey, këngëtarja e famshme britanike Adele ka zgjedhur t’i përgjigjet të gjithë kritikave në lidhje me humbjen e peshës së saj. Në intervistën për kopertinën e ‘Vogue’ muajin e kaluar, Adele foli për divorcin e saj dhe se si ajo kishte transformuar trupin dhe shëndetin e saj mendor duke u ushtruar deri në tre herë çdo ditë.
Pas intervistës, rutina e saj e ushtrimeve u cilësua “e tepërt” nga disa ekspertë shëndetësorë, me të cilën këngëtarja 33-vjeçare nuk është dakord. Për më tepër ajo u shpreh se:
Unë nuk isha e tronditur dhe as e sfilitur nga kjo. Trupi im është objektivizuar gjatë gjithë karrierës sime. Nuk është detyra ime të vërtetoj se si ndihen njerëzit me trupin e tyre. Ndihem keq që kam bërë dikë të ndihet keq me veten, por kjo nuk është puna ime.
Ajo konfirmoi se kishte humbur rreth 45 kg dhe u bë një “atlete” që mund të ngrinte 77 kg në rastin më të mirë gjatë një periudhe dyvjeçare, teksa përballej me “sulmet më të tmerrshme të ankthit” dhe i dha fund martesës. Dy vjet pas paraqitjes së kërkesës për divorc nga Simon Konecki, Adele u shpreh edhe për momentin kur kuptoi se ishte e pakënaqur nga martesa.
Duke zbuluar se ishte e vendosur që lidhja e saj 8-vjeçare të funksiononte, Adele i tha Oprah:
Unë kam qenë e fiksuar pas bërthamës së familjes gjatë gjithë jetës sime, sepse nuk kam ardhur nga një e tillë. Në të gjithë këto filma dhe të gjithë këto libra, kur rritesh duke i lexuar, kjo është ajo që duhet të jetë. Unë që në moshë shumë të vogël i premtova vetes se kur të kisha fëmijë, do të qëndronim së bashku. Do të ishim ajo familje e bashkuar. U përpoqa për një kohë shumë të gjatë.
Adele dhe Simon filluan të takoheshin në vitin 2011 dhe mirëpritën djalin e tyre, Angelo, në tetor të vitit 2012. Gjashtë vjet më vonë, të dy u martuan në vitin 2018 dhe njoftuan ndarjen e tyre vitin e ardhshëm. Këngëtarja ka zbuluar ndërkaq edhe kuptimin e këngës “Hold On”. Ajo rrëfeu se ishte frymëzuar nga bisedat që kishte me miqtë në momentet më të vështira të jetës së saj. Këngëtarja i tha intervistueses se kishte pasur vështirësi me divorcin nga Simon Konecki, me të cilin ndan djalin 9-vjeçar Angelo.