Aktualitet

Abuzimi te Onkologjiku, Prokuroria Tiranë zbardh skemën e përdorur!

Top Channel ka zbardhur detaje nga skema e abuzimit te Onkologjiku në QSUT, ku të përfshirë ishin mjekë dhe specialistë.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, ka finalizuar operacionin policor “Kobalti”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:

– “Arrest në shtëpi” për shtetasin Edmond Gashi, 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Arrest në shtëpi” për shtetasin Florian Marku, 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin Emiljano Lela, 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen Alketa Ymeri (Pere)., 53 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen Brikena Qirjazi, 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për verën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin Halil Gashi, banues në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”;

– Për shtetasen Drilona Kishta, për të cilën është vendosur masa e sigurisë “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi rezulton jashtë RSh-së.

Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, duke shpërdoruar detyrën, nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror, por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimet që kërkonin.

Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë i mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendoset në vendin e përcaktuar.

Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Nën drejtimin e prokurorit Bledar Valikaj, veprimet hetimore janë ndjekur si me veprime proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu dhe me veprime të hapura hetimore.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha theksohet se “nga informacionet e marra në rrugë operative ka rezultuar se punonjës të këtij departamenti ku rolin kryesor e ka kryeinfermieri i pavionit, pasi marrin programin e plotë për kurën e një pacienti dhe ky medikament sigurohet nga shteti duke qenë se çdo pacient i kimios është i regjistruar në databazë nuk e lënë të gjithë kurën e plotë për trajtim por një pjesë e kësaj kure nxirret për t’u blerë jashtë spitalit dhe konkretisht në dy farmaci private”.

Një medikament për kimion është shumë i kushtueshëm dhe flakoni varion nga 250 deri në 1500 euro.

Përveç rastit kur medikamenti për kimio nxirret dhe tregtohet jashtë ambienteve spitalore që është shkelje, ka dhe raste të tjera kur brenda farmacisë spitalore të njohur nga stafi personel, mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërheqë medikamentin dhe pse nuk është radha e tij për kurim, por në listën e pritjes është një person tjetër.

Pjesë nga përgjimet:

-Afrim mirëmëngjesi! Jam ai ushtaraku që kemi komunikuar. Sot kam kimion e babit a kemi ilaç. DOCTOXEL?

– Mgjes.Ok.

-Të lutem, fut dikë në sistem që t’i bëjë 6 se m’i kërkoi.

-A t’i bëj nesër më mirë?

– E mirë mirë hajde se do t’i kërkoj.

– Flakona a?

– Po 6 flakonë.