Seanca në Apelin e GJKKO-së, ku po shqyrtohej kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë e bërë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe 6 akuzuarit e tjerë për abuzimet me fondet e SASPAC, është shtyrë për datën 7 gusht, ora 13:00.
Ish-ministri Ilir Beqaj dhe të akuzuarit e tjerë kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë.
Ilir Beqaj u arrestua më datë 4 korrik me kërkesë të SPAK, nën dyshimet për një skemë korrupsioni me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC).
I arrestuar është edhe Ermal Kurtulaj, ndërsa me masë arrest shtëpie është Alfred Nikolla dhe me masë detyrim paraqitje për katër të dyshuar të tjerë.
Ilir Beqaj dhe 6 të tjerët akuzohen nga SPAK për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera.
Prokuroria e Posaçme dyshon se ish-ministri ka abuzuar me fondet europiane si drejtor i Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj, duke kryer prokurime fiktive në bashkëpunim me koordinatorin Ermal Kurtullaj, si dhe ka fshehur pasurinë me deklarata të rreme.
Beqaj dha dorëheqje si kreu i Agjencisë sapo iu ndaluan udhëtimet jashtë vendit dhe iu kërkua të paraqitej rregullisht pranë SPAK-ut lidhur me hetimet mbi koncensionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Në këtë çështje ai akuzohet për shpërdorim detyre si ish ministër i Shëndetësisë, ndërsa janë arrestuar ish zëvendës ministri Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj.