Aktualitet

Abuzimi me fondet e BE-së, Ilir Beqaj në GJKKO!

Ilir Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, dalin para Gjykatës së Posaçme për verifikim të kushteve të masës së sigurisë. Një ditë më parë, ish-ministri i Shëndetësisë u arrestua për abuzim me fondet e BE-së në kohën kur për një vit drejtoi Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Katër persona të tjerë janë në hetim nën masat e sigurisë “Detyrim me paraqitje” dhe dy me “Arrest shtëpie”. Beqaj akuzohet dhe për korrupsion, mosdeklarim i të ardhurave duke fshehur pronësinë e restorant “Gzonës” pranë Kalasë së Tiranës, si dhe të një automjeti.

Pozitën e Beqajt e rëndoi një procedim penal i nisur 6 shtatorin e kaluar, regjistruar në ngarkim të Ermal Kurtulajt, koordinator i EUSAIR-it, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Europian e që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), ku Beqaj ishte drejtor.

SPAK-u thotë se ka gjetur prova se si drejtues, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurimi me vlerë qindra mijëra euro ndaj kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues fundor ishte ish-ministri përmes Restorant “Gzonës” në Tiranë e që sipas SPAK-ut, “është në pronësinë e tij”.

Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkurruese apo prokurim të thjeshtë, të urdhëruara për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili firmosi që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që iu dërguan subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit e deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës, thuhet ne njoftimin e SPAK-ut.

Përveç tij, gjykata ka vendosur “Arrest me burg” edhe për bashkëpunëtorin Ermal Kurtulaj e Alfred Nikollin, drejtori Administrativ i një kompanie, e përdorur pikërisht për këtë skemë përfitimi sipas SPAK-ut, duke marrë tendera fiktivë pa kryer shërbime, teksa kthente mbrapsht paratë te Beqaj përmes “Gzonës” e jo vetëm.

Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK-u evidenton pikërisht një të lidhur me “Landways International”. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por, për të njëjtin event, edhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 milion lekë të reja. Gjithsej, për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucione shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund, i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona”, me vlerë rreth 41 mijë euro.

“Gzona” është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës, e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.

Prokuroria e Posaçme nënvizon se Ilir Beqaj ka investuar vetëm në vitin 2019 në Restorant “Gzona” mbi 100 mijë euro (21.411 euro dhe 4.666.110  lekë për blerje të pajisjeve dhe 34.783 Euro pagesë qiraje e të tjera). Të gjitha këto shpenzime nuk i ka deklaruar. SPAK-u thotë se të gjitha interesat në restorant, Beqaj i ka ushtruar për Kurtulajn, i cili ka administruar, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.