“Abissnet Superiore”, sot luhen tre takime të Javës së 6-të. Në orën 17:00, Vllaznia pret Bylisin në “Loro Boriçi” ndërsa më 20:00 radha e dy përballjeve Elbasani-Egnatia dhe Teuta-Dinamo. Trajneri i Dinamo City-t, Ilir Daja foli për mediat në prag të ndeshjes së sotme kundër Teutës. Daja vlerësoi kundërshtarin, por kërkoi maksimumin e pikëve.
Na vjen mirë që kemi vazhduar me një barazim me Partizanin dhe një fitore me Skënderbeun. Ekipi ka dhënë maksimumin për të vazhduar këtë seri pozitive e ka meritat kryesore. Jam i kënaqur, sepse ka qenë një ngjeshje e seancave stërvitore. Të gjithë lojtarët kanë treguar përkushtim. Për manovrën e lojës kemi shumë gjëra për të bërë.
Nëse shënon më shumë se kundërshtari, nuk më shqetëson aq shumë fakti që pësojmë gol. Kemi pasur shumë raste, na ka munguar qetësia dhe sigurisht që lojtarët janë njerëz. Ne kemi kthyer atë dozë besimi që nëse japim maksimumin të gjithë bashkë, gjërat do të përmirësohen.
Kanë qenë të pakta rastet në portën tonë, edhe pse na kanë shënuar Partizani e Skënderbeu. Ne duhet të japim më shumë nga sa kemi dhënë dy ndeshjet e fundit, që të dalim nga Durrësi me rezultat pozitiv. Teuta zhvilloi një lojë të mirë në ndeshjen e fundit, pavarësisht se humbi në minutat e fundit. Ka lojtarë me eksperiencë në kampionatin shqiptar. Sulmon vrullshëm, ndaj dhe ne duhet të japim më shumë.
Kemi entuziazëm sepse rezultatet e fundit na kanë dhënë një bonus psikologjik, por jemi me këmbë në tokë. Nëse nisemi nga pikët në renditje, luajmë me një kundërshtar direkt. Teuta humbi ndeshjen e fundit, por të mos harrojmë se më parë mundi Skënderbeun. Duhet t’i ruhesh, aq sa dhe duhet ta sulmosh.
Kujtojmë se dje nuk pati të fituar në Stadiumin “Air Albania”, në derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Vetëm pak raste u krijuan, por në fushë, në asnjë moment nuk u finalizua gjë, falë dhe portierëve të dy skuadrave në ndeshjen ku spektaklin e dhuruan dy tifozëritë,
Veçanërisht pjesa e dytë u shënua nga gabime të shumta, me ndërhyrje të gabuara jo të nevojshme, me shumë pak futboll që i takon një takimi të nivelit të tillë dhe një barazim pa gola e që zgjat serinë e mungesës së fitores për dy ekipet. Për të kuqtë, ky është barazimi i tretë radhazi, ndërkohë që bardheblutë kanë gjashtë nga gjashtë.
Po dje, Skënderbeu siguroi tri pikë të arta në Javën e 6-të të “Abissnet Superiore”-s. Korçarët triumfuan me rezultatin 2-1 përballë Laçit. Skuadra e drejtuar nga Gvozdenoviç kaloi në avantazh në minutën e 20-të, për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-0. Në pjesën e dytë, kurbinasit reaguan me Traoren, që me një asistim të Prodanit realizoi një gol mjaft të bukur duke barazuar me rezultatin 1-1.
Por, nuk përfundoi me kaq pasi korçarët siguruan një 11-metërsh. Merlim nga pika e bardhë u ndal nga Dajsinani edhe pse aksioni vazhdoi me Bismark-un, i cili përfitoi për të dërguar topin në rrjetë dhe 2-1, që u shënua dhe si rezultati përfundimtar i sfidës së djeshme.