Bota

A vuan Putin nga një sëmundje e rëndë?/Përgjigjja e Moskës!

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov mohon spekulimet se presidenti rus, Vladimir Putin është i sëmurë. Në një intervistë për televizionin francez, TF1, Lavrov deklaroi se “Putin paraqitet në publik çdo ditë dhe asnjë person i arsyeshëm nuk sheh shenja të ndonjë sëmundjeje”.
Ka pasur spekulime të pakonfirmuara nga mediat se Putin, i cili mbush 70 vjeç këtë vit, mund të jetë duke u përballur me sëmundje të rëndë, ndoshta edhe tumor. Javën e kaluar, mediat cituan burime të inteligjencës britanike, sipas të cilave, “Shefi i Kremlinit ka qenë shumë i sëmurë javën”.

E lë këtë në përgjegjësinë e atyre që përhapin thashetheme të tilla, pavarësisht mundësive për të vlerësuar dikë si duhet.

Ndërsa Rusia vazhdon të avancojë në rajonin ukrainas të Donbasit, kreu i diplomacisë së Moskës shprehet se “çlirimi i tij është prioritet”. Ndërkohë, përsëriti qëndrimin e zyrtarëve rusë se “Rusia po lufton regjimin neo-nazist në Ukrainë”.

Kievi dhe Perëndimi e konsiderojnë këtë qëndrim si arsyetim të rremë për nisjen e luftës. I pyetur për numrin e civilëve të vrarë, ministri rus ka insistuar se ushtarët rusë “zbatojnë urdhra që në mënyrë kategorike shmangin sulmin në infrastrukturë civile”.

Referuar vlerësimeve zyrtare të Kombeve të Bashkuara, janë mbi 4 mijë viktima e më shumë se 4 mijë e 700 të plagosur në Ukrainë prej datës 24 shkurt. Por, nuk ka dyshime se në terren shifrat janë shumë më të larta, se ato që ka mundur të verifikojë OKB-ja. Ndërkohë, ende nuk jepen të dhëna për numrin e luftëtarëve të rënë në luftime me forcat e Moskës, që tashmë e kanë përqendruar ofensivën në lindje të Ukrainës.

Pushtimi i urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin në emër të “operacionit për çmilitarizimin e denazistifikimin e vendit fqinj” dhe pasi nuk mori garanci se nuk do të hynte në NATO, ka detyruar mbi 14 milion njerëz të ikin nga shtëpitë, shumica në Poloni. Qytezat janë shndërruar në gërmadha e faktet drithëruese dëshmojnë për mizori të ushtarëve rusë, edhe pse Moska i hedh poshtë, si “të pavërteta” e “inskenime”.