Inspektoriati i Drejtësisë ka nisur verifikimin për ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Pogradec, ku u dhunua për vdekje 42-vjeçari, Egli Proga.
Policia e referoi fillimisht ngjarjen si “vrasje me dashje”, ndërsa më Prokuroria e zbuti akuzën në “vrasje nga pakujdesia”. Me akuzën e ngritur nga policia “vrasje me dashje”, autori rrezikonte deri në 20 vite burg.
Më herët, Gjykata e Korçës reagoi duke argumentuar se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova dhe se deri në këtë fazë të hetimit gjyqtari nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.
Nga aq pak sa është treguar nga dëshmitarë të shumtë okularë, bëhet me dije se Englantin Proga ka mbyllur biznesin e vet dhe është drejtuar për në shtëpinë e tij. Pak metra më tutje, në një lokal ka qenë i ulur Denis Meçe. Ai e ka thirrur Eglin dhe mes tyre është diskutuar diçka. Më pas, Denisi është ngritur dhe e ka qëlluar me grushte në pjesën e kokës. Nga sa është mësuar më vonë, nga të dhënat që disponon familja, bëhet me dije se në fakt Denisi i ka kërkuar në formën e gjobës xhiron ditore.
Në dialogun mes tyre, të dëgjuar nga një dëshmitar, por që nuk e ka dokumentuar grupi hetimor, është thënë se Egli i ka thënë se nuk mund t’u jepte gjoba për shkak se kishte dy fëmijë të mitur për të rritur. Hija e skandalit merr përmasa të tjera, kur dyshohet se Egli është rrahur brenda ambienteve të lokalit dhe më pas, me pak shenja jete është hedhur në rrugë. Pamjet filmike të vëna në dispozicion të mediave, e tregojnë Eglin duke ecur në këmbë, fakt që e mohojnë kategorikisht familjarët e të ndjerit. Edhe vetë i zoti i lokalit, i cili u arrestua për moskallëzim krimi, në dëshminë që ka dhënë ka treguar paqartësi në momentin kur është goditur Egli, duke përjashtuar se e kishte parë personin që e kishte qëlluar. Në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka asnjë pamje filmike, ndërkohë që pamje filmike ka vetëm në pjesën e rrugës ku është një treg i vogël dhe ku shihet një moment duke ecur dhe më pas i pamundur të lëvizë i ndjeri.
Skandali thellohet më tej nga një dëshmi që ka bërë publike kushëriri i parë i viktimës. Ai thotë se në momentin që e pa Eglin në gjendje të keqe, i kërkoi shokut të ngushtë të Eglit ta niste për në spital, por në vendin ku gjendej Egli ishte edhe një efektiv policie. Mirë që shoku i të ndjerit nuk ka pranuar, por edhe efektivi, i cili nuk është identifikuar ende nuk ka lejuar kalimtarët e tjerë ta merrnin derisa të vinte ambulanca. Dhe ashtu ka ndodhur vërtet. Ambulanca ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas më shumë se gjysme ore, duke e marrë të pajetë 42-vjeçarin.
Mjekët e spitalit të Pogradecit ende nuk kanë nxjerrë asnjë reagim zyrtar në lidhje me shkaqet reale të vdekjes së Eglantin Progës, ndërsa familjarët dhe të afërmit hedhin akuza te të gjitha strukturat përgjegjëse se të gjitha vonesat janë kryer që ttë mos zbulohej grupi i gjobëvënësve që operojnë kryesisht në qytetin e Pogradecit. Në gjykatë dje, gjatë zhvillimit të seancës ka qenë motra e Eglit, e cila sërish ka hedhur akuza të forta publike kundër Policisë, Prokurorisë dhe spitalit të Pogradecit. Po ashtu, dje ka reaguar edhe i ati i Eglit, i cili ka dyshime të forta se pamjet filmike janë fshirë dhe se prokuroria dhe policia nuk kanë kërkuar as pamjet dhe as dokumentimin me anë të grumbullimit të dëshmive të personave që kanë qenë të pranishëm në momentin e nisjes së sherrit dhe deri tek çasti kur i riu dha frymën e fundit i rrethuar nga dhjetëra kureshtarë që patën frikë t‘i jepnin ndihmë.