Film & Tv

“A Plastic Ocean” pasqyra e plehrave tona që na përfundojnë në pjatë. Kritikë

Bota ku jetojmë është plastike. Qeset e pazarit, shishet plastike të ujit, furça e dhëmbëve, rrobat që veshim janë vetëm disa nga të përditshmet e plastikës që përdorim. Edhe pse dikur shitej si zbulimi i shekullit, plastika nuk është fantastike, aq më pak për momentet që po kalon planeti ynë.

Që në vitet 1950 njerëzit kanë prodhuar masivisht plastikë. Qindra milionë ton plastikë prodhohen çdo vit dhe prodhimi i saj vetëm po shtohet. Shumica e plastikës përdoret vetëm një herë fatkeqsisht, e pastaj hidhet, hidhet larg syve tanë, por, siç do të zbuloni duke parë këtë dokumentar, ngel në planet duke u bërë pjesë e një rrethi vicioz. Vetëm një porcion shumë i vogël i plastikës së përdorur riciklohet, pjesa tjetër përfundon në landfill-e ose, më e keqja, në oqeane.

“A Plastic Ocean”është realizuar nga gazetari australian Craig Leeson i cili heton mbi pasojat shkatërrimtare që plastika po i sjell oqeanëve, florës dhe faunës dhe mbështetur nga Sir David Attenborough, shkrimtari dhe historiani i mirënjohur i natyrës. Nis si një aventurë për filmimin e një balene blu, gjallesa më e madhe në planet dhe vazhdon me zbulimin e një ‘pellgu’ gjigand plehrash që noton bashkë me peshqit në oqeanin Indian. Së bashku me zhytësen rekordmene Tanya Streeter, Leeson kërkon të gjëje gjithçka sa i përket kësaj çështjeje. Më shumë zbulon ai, më e pa kaperdishme është. Kontrasti mes pamjeve të mrekullueshme të oqeaneve dhe atyre të përdhosjes së natyrës nga plehrat plastike (e jo vetëm) janë vërtet domethënëse. Kjo dhe intervistat e ekspertëve hedhin dritë mbi ndikimin e plehrave plastike në jetët tona.

Plastika është shumë e përdorur sepse është e durueshme dhe e lirë. Ama është fakti që është e durueshme që e bën atë të ‘jetojë’ në planet  pambarimisht edhe pasi ne nuk e përdorim më. Shumica e plastikës nuk tretet kimikisht. Materialet plastike që përfundojnë në oqean copëtohen në thërrmija të vogla prej erës, rrymave dhe dallgëve, të cilat gëlltiten nga peshq dhe zogj e rrjedhimisht përfundojnë pjesë e zinxhirit ushqimor për një kohë të gjatë. Për shkak se është jo e kushtueshme, vendet e varfra e përdorin pa kufi plastikën, dhe janë po këto vende që nuk kanë kapacitete të menaxhimit të mbetjeve, duke bërë që tërësia e tyre të përfundojnë në lumenj e më pas në oqeane. ‘Fajtorët’ për ndotjen e oqeaneve janë një dorë e këtyre vendeve të vegjël. Shkencëtarët kanë përllogaritur se aktualisht më se 5 trilionë copash plastike janë duke ‘notuar’ në oqeanet tona.

Ndikimi që kjo plastikë ka në jetën e gjallë shtazore është zemërthyes. Me pamje të forta tregohet se si nga peshq të vegjël, tek balenat e deri tek zogjtë detar humbasin jetën për shkak të gëlltitjes të copave të plastikës që derivojnë nga 1mm deri tek tapa shishesh apo copa të ngjashme. Copat e vogla të quajtura mikroplastika, nëse gëlltiten, bëhen pjesë e trupit të gjallesës që i gëlltit duke u bërë toksike. E nëse këto gjallesa (siç ndodh shpesh tashmë për shkak të ndotjes që e përmenda më lart) përfundojnë në pjatat tona, rriten gjasat për t’u prekur nga sëmundje si kanceri, pamjaftueshmëria imunitare, apo probleme të rritjes tek më të vegjëlit. Problemi është edhe më i madh kur kupton se një e pesta e popullsisë së botës varet nga prodhimet e detit për burimin e tyre kryesor të proteinave.

Oreksi i shoqërisë për plastikë është duke na vrarë.

Ç’është më e keqja, nuk ka një zgjidhje ‘me buton’ të problemit. Në dekadat e fundit prodhimi dhe konsumi i materialeve plastike ka njohur vetëm rritje. “A Plastic Ocean” (2017) sidoqoftë propozon disa zgjidhje që fillojnë nga sejcili prej nesh. Duke filluar me shmangien e çdo gjëje prej plastike, në vend të qeseve të plastikës në supermarket merrni ‘trajsen e gjyshes’, madje mundohuni të mos merrni asgjë të paketuar me qese në asnjë vend (perimet dhe frutat e mbështjella me letra plastike etj).

Lërjani atyre qesen – nëse do bënit kështu do habiteshit me zgjidhjet që gjejnë bizneset për të eliminuar një problem. Rwuanda është vendi i parë në planet që ndaloi me ligj qeset plastike në vend! Po ashtu shtete si Gjermania kanë të vendosura në supermarkete aparate për riciklimin e shisheve plastike. Edhe në shqipëri u bë një përpjekje për reduktimin e qeseve plastike duke i shtuar atyre një kosto/për qese, për konsumatorin – por kjo nuk duket se funksionon edhe aq, për shkak se kosto është e vogël. Plastika është vërtet kudo, por një përpjekje për ta shmangur sadopak është thelbësore. Ripërdorni plastikën në vend që ta hidhni me një përdorim, zevëndësoni shishet plastike me ato metalike e të tjera zgjidhje si këto për të cilat informoheni edhe më shumë në faqen zyrtare të filmit.

Në SHBA është zhvilluar edhe një teknologji për kthimin e plastikës në karburant për makinat – por janë politikat shtetërore të cilat duhet të ndihmojnë në promovimin e këtyre praktikave. Nëse problemi nuk zgjidhet shpejt në vend të një planeti blu – do të notojmë në një supë plastike.

Edhe pse dokumentari ka 4 vite që ka dalë, kishte ngelur në listën time të ‘gjërave për t’u parë’. Sigurisht koshienca e brezit të ri për dëmet e plastikës është (më) e madhe në krahasim më atë të prindërve apo gjyshërve tanë, dhe shohim shpesh mos përdorimin e pipave plastike, apo paketimet e letrës në vend të qeseve. Por nëse jeni kurioz për çfarë ka ndodhur në këto katër vite që nga publikimi i kësaj të vërtete të hidhur së cilës ju desh katër vite për t’u realizuar po ju them se asgjë e madhe nuk ka ndodhur. Sipas Geneva Enviroment Network sikur të mos mjaftonte që prodhimi i plastikës vazhdon me të njëjtat ritme – Pandemia 2 vjeçare e Covid – 19 e ka përkeqësuar krizën, për shkak të maskave një përdorimshme, çdo gjëje të paketuar etj.

Bota është duke përjetuar një krizë të plastikës, në mungesë të një përgjigjeje të shpejtë dhe serioze nga të gjithë institucionet ndërkombëtare nuk është e largët dita kur do të jetojmë në Utopinë e ‘Mad Max – Fury Road’.