Presidenti italian, Sergio Mattarella, ka reaguar ndaj komentëve të Elon Musk, duke theksuar se Italia është një vend i madh demokratik që di të kujdeset për veten dhe vepron në përputhje me Kushtetutën e saj. Mattarella e bëri këtë deklaratë pas komenteve të Musk në mbështetje të qeverisë italiane, që e kritikuan ndërhyrjen e gjyqësorit në çështjen e deportimit të emigrantëve të paligjshëm.
Italia është një vend i madh demokratik dhe di të kujdeset për veten, në respektim me Kushtetutën e saj… kushdo, e sidomos dikush që sikurse është paralajmëruar, mund të marr një rol qeverisës në një vend mik dhe aleat, duhet të respektojë sovranitetin, e të mos i atribuojë vetes detyrën që t’i japë të tjerëve receta, theksoi Mattarella.
Musk kishte shprehur shqetësimin për pengesat ligjore që parandalojnë qeverinë italiane të deportojë emigrantët e paligjshëm dhe kishte theksuar se kufijtë e Italisë do të mbeten të hapur për ata që mbërrijnë ilegalisht. Ai gjithashtu kishte pyetur, nëse Italia ishte një demokraci apo një “autokraci e pazgjedhur”, duke vënë në dyshim sistemin gjyqësor dhe veprimet e qeverisë.
Në një përgjigje të ashpër, Mattarella tha se kushdo, përfshirë ata që mund të marrin role qeverisëse në vendet mike dhe aleate, duhet të respektojë sovranitetin e shtetit dhe të mos japë receta të padëshiruara. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të institucioneve dhe të Kushtetutës italiane, duke mbrojtur pavarësinë e vendit nga ndërhyrjet e jashtme.
Musk, i cili është pronar i platformës X (më parë Twitter), nuk ngurroi të kundërshtonte presidentin italian, duke e quajtur situatën “të papranueshme” dhe duke rishpërndarë postime që e akuzonin sistemin ligjor italian për bllokimin e politikave të deportimit. Ai gjithashtu bëri thirrje për veprime të mëtejshme për të parandaluar, siç e quajti ai, “pushtimin e përgjithshëm të Italisë dhe Europës” nga emigrantët.
Komentet e Musk erdhën pas njoftimit të qeverisë italiane për masat e reja për të frenuar migracionin e parregullt, përfshirë rivendosjen e kontrolleve kufitare. Ndërkohë, Musk ka marrë një rol të ri në administratën e Trump, ku është emëruar për të drejtuar Departamentin e Ri të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE). Ky departament ka si objektiv reduktimin e burokracisë dhe shpenzimeve të panevojshme të qeverisë federale.
Kjo përplasje publike mes Musk dhe Mattarella ka theksuar tensionet në lidhje me politikën e emigracionit në Itali dhe rolin e ndërhyrjeve të jashtme në çështjet e brendshme të shteteve sovrane.