Një ngjarje tragjike në vitin 2018 ofroi një nga dëshmitë më të forta për të kuptuar se shimpanzetë mund të kuptojnë vdekjen. Grupi i studiuesve që punonte në Uganda, rastësisht dokumentoi një ngjarje të pazakontë: një shimpanze femër po mbante një foshnjë me një ngjyrë të pazakontë të flokëve, e cila ishte e prekur nga albinizmi – një gjendje e rrallë te këto kafshë, e cila i jep flokëve një ngjyrë të bardhë.
Shimpanzetë femra shpesh largohen nga grupi për të lindur, për t’i mbrojtur fëmijët e tyre nga sulmet që shpesh ndodhin nga anëtarët e tjerë të grupit. Kjo shimpaze u rikthye në grup pas lindjes, por kjo ngjarje solli një reagim të papritur nga shimpanzetë të tjerë. Ata e panë foshnjën dhe u tronditën nga pamja e tij, duke e konsideruar atë si një kërcënim të mundshëm. Kjo shkaktoi frikë dhe një reagim agresiv, me liderin e grupit që së bashku me disa aleatë të tij vranë dhe e copëtuan trupin e foshnjës.
Pas vdekjes së foshnjës, reagimi i shimpanzeve ndryshoi plotësisht: ata u shfaqën të intriguar dhe filluan të shqyrtojnë trupin e foshnjës, duke e prekur dhe duke e nuhatur, në një mënyrë që tregonte një kuriozitet të thellë. Kjo përbën një dëshmi të fortë se shimpanzetë mund të kuptojnë se një individ i vdekur nuk mund të bëjë më atë që bënte kur ishte i gjallë.
Ky rast i dhimbshëm ka ngritur pyetje të rëndësishme për mënyrën se si kafshët kuptojnë vdekjen. Disa studiues mund të argumentojnë se për të kuptuar vdekjen, duhet të kuptojmë përfundimit/mbarimin dhe të papriturën e saj, ashtu siç ndodh te njerëzit.
Kjo pikëpamje, e quajtur “antropocentrizëm intelektual”, është një prirje që ndikon në studimin e vdekjes te kafshët, duke nënvlerësuar mundësinë që kafshët të kenë një koncept të ndryshëm të vdekjes, që nuk është i njëjtë me atë të njerëzve.
Përkundrazi, shkencëtari që ka studiuar këtë temë argumenton se kuptimi i vdekjes është një koncept që mund të ndryshojë dhe që është i lidhur ngushtë me aftësitë që janë thelbësore për mbijetesën. Ai sugjeron se, në vend të kërkimit të ndjenjave të ngjashme me ato të njerëzve, është më e rëndësishme të kuptojmë se vdekja kuptohet në mënyrë më të thjeshtë nga kafshët: si një gjendje ku individi i vdekur nuk mund të bëjë më veprimet që bënte kur ishte i gjallë, dhe kjo është një gjendje e pakthyeshme.
Po ashtu, një tjetër prirje, e quajtur “antropocentrizëm emocional”, ka ndikuar në mënyrën se si studiuesit kanë interpretuar reagimet e kafshëve ndaj vdekjes. Ajo ka ndikuar në kërkimin vetëm për manifestime të hidhërimit te kafshët, siç janë ngjarjet e njohura të orkave që mbajnë trupat e foshnjave të vdekur për periudha të gjata. Kjo qasje mund të na bëjë të humbasim shumë të dhëna të tjera të rëndësishme rreth mënyrave të ndryshme që kafshët mund të reagojnë ndaj vdekjes.
Ky studim sugjeron se kuptimi i vdekjes nuk është një arritje komplekse dhe ekskluzive për njerëzit, por një aftësi që është e shpërndarë në shumë specie të tjera, dhe se reagimet ndaj saj mund të jenë shumë të ndryshme, ndonjëherë të larguara nga ato që priten nga një perspektivë njerëzore.