Sipas mediave të huaja, qendra Kërkimore Pew në Amerikë ka publikuar një raport mbi sondazhin e fundit, në të cilin 68% e të rriturve të anketuar thanë se nxënësit e shkollave nuk duhet të lejohen të përdorin telefonat e tyre gjatë mësimit. Shumica menduan se fëmijët duhet të kenë qasje gjatë drekës dhe mes orëve dhe 36% menduan se telefonat duhet të jenë të fikur gjatë gjithë ditës. Hulumtimi vjen në kohën kur një numër në rritje shkollash në të gjithë vendin po ndalojnë telefonat.
Mësuesit janë në masë dërrmuese në favor të këtyre ndalimeve të celularëve. 90% e anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Arsimit mbështetën politikat që ndalonin telefonat gjatë kohës së mësimit. Por nxënësit, siç mund ta imagjinoni, nuk janë gjithmonë aq të interesuar për diçka të tillë edhe pse disa kanë thënë se kanë mësuar të pëlqejnë ndalimet e celularëve.
Ndryshe nga studimet e panumërta të publikuara që kanë paralajmëruar prindërit për adoleshentët e tyre që rrinë në orë të tëra në celular, studimi i bërë së fundmi zbulon të kundërtën. Koha që ata shpenzojnë me telefonat nuk është edhe aq e dëmshme. Në këtë studim bëhet e ditur se adoleshentët që përdornin telefonat e tyre për një deri në dy orë në ditë kishin një rrezik më të ulët të depresionit, problemeve me gjumin, stresit dhe varësisë ndaj alkoolit në krahasim me ata që nuk e përdornin fare telefonin.
Megjithatë, ata që harxhuan më shumë se katër orë në telefonat e tyre u përballën në nivele më të larta të këtyre problemeve të shëndetit mendor dhe abuzimit me substanca, pra një rrezik 22% më i madh se i përdoruesve të pajisjeve digjitale. Autorët u shprehën në studimin e tyre se:
Për sa i përket qëllimeve sociale, një deri në dy orë kohë përdorimi i celularit ishte një armë mbrojtëse kundër tentativave për vetëvrasje. Nga rezultatet tona, përdorimi i telefonave për më pak se dy orë në ditë duket edhe i dobishëm për rezultatet e shëndetit mendor në krahasim me mospërdorimin e celularit fare.