Aktualitet Dilema Sociale

A duhet të jetë e detyrueshme vaksina anti-COVID për fëmijët?!

Duket se javët e fundit marrja e vaksinës dhe nisja e procesit masiv të vaksinimit anti-COVID në Shqipëri e jo vetëm, janë shndërruar në kryefjalën e medias. Kompania amerikane e ilaçeve “Moderna” tha se ka nisur studimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit në fëmijë të moshës gjashtë muajshe deri në 11-vjeç. “Moderna” është prodhuesi i parë amerikan që teston vaksinën e saj në foshnje. Pak kohë më parë, Stephen Bancel, shefi ekzekutiv i kësaj kompanie u shpreh se;

Ky studim pediatrik do të na ndihmojë të vlerësojmë sigurinë dhe imunogjenitetin e mundshëm të vaksinës sonë në këtë popullatë më të re në moshë.

Tashmë jo vetëm “Moderna” por edhe kompani të tjera që prodhojnë vaksina si “AstraZeneca” kanë nisur testimet tek fëmijët. I ftuar sot në “Dilema Sociale” me Eno Popin ishte mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti që diskutoi më tepër rreth kësaj çështjeje duke treguar se cila është qasja e shqiptarëve.

Kush i teston vaksinat? Sigurisht që kompanitë por ama rekomandimet dhe licensimet e tyre i bëjnë Autoritetet Shkencore. Kompanitë janë të lira të bëjnë pa fund testime dhe të thonë se vaksina e tyre është më e mira por vendimin përfundimtar për licensimin e tyre gjithmonë e marrin Autoritetet Shkencore. Fëmijët janë ‘drivery’ kryesor për transmetimin e gripit por jo për COVID-19. Për COVID-in, trasnmetueshmëria është 8%. Vaksina rekomandohet për gripin nga mosha 0 në 5-vjeç dhe gati të gjitha janë në licencë emergjente jo të detyrueshme sepse jo gjithçka dimë mbi to.

Po shqiptarët çfarë mendojnë për këtë fakt? Në faqen tonë zyrtare të Instagram-it ne kemi hapur edhe një sondazh ku kemi pyetur publikun se nëse eventualisht fillon vaksinimi i fëmijëve kundër COVID-19, a duhet apo jo të jetë i detyrueshëm për vajtjen e tyre në shkolla e kopshte? Duket se pjesa më e madhe e tyre, përkatësisht 80% janë përgjigjur me “JO”, kjo vaksinë nuk duhet të jetë e detyrueshme pasi siç duket fëmijët nuk janë pjesë e rrezikut më të madh.