Politikë

A duhet të dorëhiqet Basha? Ja si votuan shqiptarët në sondazhin e Top Albania Radios

Ndërsa presionet janë në rritje për dorëheqjen e tij, Lulzim Basha ka njoftuar një mbledhje të grupit parlamentar për sot pasdite, ku pritet edhe një vendimmarrje në lidhje me fatin e tij në krye të Partisë Demokratike.

Por a do ta japë dorëheqjen Lulzim Basha?

Top Albania Radio sapo ka kryer një sondazh ku ka shtruar të njëjtën pyetje. Dhe nga votimet e shumicës së shqiptarëve rezulton që janë 46% e votuesve që shprehen pro largimit të kreut të Selisë Blu.

Ndërkohë ata që duan që Basha të vazhdojë të mbajë karrigen e kryetarit të Partisë Demokratike janë rreth 35%.

Vetëm 19% e shqiptarëve kanë votuar të dyzuar duke mos shprehur opinion në lidhje me qëndrimin apo largimin e kryedemokratit Lulzim Basha.

Ndërkaq, në mungesë të një vendimmarrje brenda oborrit të selisë blu për krizën e thellë që po përjeton partia me e madhe e opozitës, jashtë dyerve të saj, anëtarë apo deputetë kanë dalë me zgjidhje.

“Demokratët duan një parti, duan një projekt politik, një tryeze të madhe e cila të na çojë te gara, te vota dhe te legjitimimi i lidershipit të partisë dhe në baze dhe në qendër”, thotë Edvin Kulluri. Si një nga kritikët e hershëm të Lulzim Bashës, Kulluri thotë se PD duhet të bashkohet me “Komisionin e Rithemelimit” por jo përmes individëve, por përmes njerëzve”.

Sipas tij, edhe procesi i nisur nga ish kryeministri Berisha që cilësohet edhe si ish-lideri historik i partisë nuk premton bashkim për sa kohë nuk respektohet gara e lirë.