Bota

A do të qeveriset Austria nga ekstremi i djathtë?

Reuters

Në Austri, forca politike e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë (FPO), e drejtuar nga Herbert Kickl fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura dje. Me gjasa, rezultati zgjedhor e vendos në vendin e parë për të formuar qeverinë, për herë të parë në historinë e pasluftës.

Sipas projeksioneve, FPO-ja doli në krye, por nuk ka shumicën absolute. Kjo nënkupton se partisë i duhet të gjejë një partner koalicioni në parlament për të formuar një qeveri të qëndrueshme nëse presidenti Alexander Van der Bellen e fton për të krijuar ekzekutivin e ri.

Cilat janë opsionet e kryetarit të partisë?

E vetmja parti që la hapur mundësinë për koalicion me FPO-në është ajo konservatore në pushtet, Popullore Austriake (OVP). Por, kryetari i OVP-së, kancelari Karl Nehammer e përjashtoi mundësinë e formimit të një ekzekutivi ku do të merrte pjesë edhe Kickl.

Përveç kësaj, janë edhe rezervat e Van der Bellen-it lidhur me Kickl-in. Të gjitha këto kanë shtuar pikëpyetjet nëse Kickl do të largohet dhe do të lë ndonjë anëtar tjetër të partisë së tij që të bëhet kancelar.

Duke pasur parasysh sa ashpër ai dhe partia e tij kanë bërë fushatë me idenë që Kickl duhet të bëhet “volkskanzler” apo kancelari i popullit, ky opsion aktualisht duket i pamundur.

FPO-OVP

Nëse FPO-ja ftohet që të formojë një koalicion qeverisës, e vetmja parti me të cilën mund të formojë një shumicë është OVP-ja. Dy partitë kanë qëndrime të ndryshme në shumë fusha kyçe, sidomos sa i përket vendosjes së rregullave më të ashpra për emigrimin.

Por, këto dy subjekte mbështesin shkurtimin e taksave për të rritur ekonominë, e cila po tkurret që prej dy vjetësh radhazi. Por, negociatat do të mund të ndërlikoheshin për shkak të raportit jo të mirë mes Kickl-it e Nehammer-it. Gjatë fushatës, Nehammer e ka përshkruar Kickl-in si person që merret me teori konspirative dhe që nuk është i kualifikuar që të qeverisë.

Roli i OVP-së

OVP-ja është partia në pushtet. Ka qenë në çdo qeveri, përveçse në ekzekutivin jetëshkurtër në detyrë që ishte qeveria e parë e përbërë nga tri parti në 37 vjetët e fundit.

Teksa shumë mendojnë se OVP-ja është partia më e afërt me FPO-në në aspektin ideologjik, të paktën në parim, OVP-ja duhet të ketë një alternativë sa i përket një koalicioni me FPO-në: një aleancë trepalëshe me partinë që ka dalë e treta në zgjedhje, Partinë Socialdemokrate dhe me një nga dy partitë që kanë marrë më pak se 10% të votave, liberalët e Neos apo të Gjelbërit e krahut të majtë.

Në një skenar të tillë, OVP-ja do të ishte partia më e madhe, që nënkupton se Nehammer do të mund të vazhdonte të mbante postin e kancelarit. Një skenar i tillë do të ishte më i lakmueshëm se një ku OVP-ja do të ishte partnerja më e vogël e koalicionit qeverisës.

Pengesa presidenciale

Presidenti Van der Bellen, ish-udhëheqës i të Gjelbërve, pati bërë betimin së bashku me ministrat nga FPO-ja, përfshirë Kickl, kur partia e tij formoi një koalicion me OVP-në më 2017-ën. Koalicioni ra pas një skandali më 2019-ën.

Van der Bellen miratoi dhe vendimin për shkarkimin e Kickl-it nga qeveria, me kërkesën e kancelarit të atëhershëm, Sebastian Kurz, nga OVP-ja, disa ditë para se parlamenti të rrëzonte ekzekutivin.

Presidenti austriak ka shprehur rezerva lidhur me Kickl-in, duke lënë të kuptohet se ai ose nuk do ta lejojë që të bëhet kancelar ose nuk do t’i kërkojë FPO-së që të tentojë të formojë qeverinë nëse del partia e parë.

Megjithatë, fitorja e FPO-së pritet të jetë më e madhe se projeksionet e para, duke e vendosur në një pozicion më të mirë Kickl-in. Edhe pse është një praktikë që presidenti t’i kërkojë partisë së parë që të formojë qeverinë, Van der Bellen nuk është i detyruar të veprojë kështu.

Kjo është një praktikë, por me sa e di ky rregull nuk është në Kushtetutë, tha Van der Bellen vitin e kaluar. Ajo çfarë është në Kushtetutë është se unë e emëroj kancelarin… Është një nga pikat e pakta ku presidenti i ka duart plotësisht të lira.

Pra, Van der Bellen mund të vendosë që të ndërmarrë një qëndrim krejtësisht të ri.