Health & Beauty Lifestyle Live From Tirana

“Unifikon trupin dhe shpirtin…”/Instruktorja e jogës Jonida Çobani flet për përfitimet shpirtërore të saj!

E ftuar në “Live from Tirana” ishte instruktorja e jogës Jonida Çobani për të folur rreth praktikimit të jogës, rëndësisë së saj dhe përfitimeve vetjake. 21 qershori është Dita Ndërkombëtare e Jogës dhe njëkohësisht 10 vjetori i saj, një kohë shumë e rëndësishme për entuziastët perëndimorë të jogës…

Çfarë është joga dhe çfarë kuptimi kanë pozicionet e saj?

Joga është një ‘automjet’ i cili na lidh me veten tonë, na unifikon trupin me shpirtin, mendjen dhe emocionet në çdo nivel. Në perëndim joga merret më shumë me pjesën fizike, në fakt ajo është thjesht një efekt anësor i jogës. Çdo njeri ka çakra, portalet e energjisë së trupit të tyre. Këtu është gjithë qëllimi i këtyre pozicioneve, të çlirojë këto portale. Ato mund të bllokohen dhe bëjnë që të kesh shumë frikë, të mos ndihesh i sigurt për të ardhmen, sikur nuk je i mjaftueshëm dhe nuk të do njeri. Aktivitetet e zakonshme fizike merren me të jashtmen, joga kërkon të zhvillojë të brendshmen, duke filluar nga muskujt. Objektivi është që energjia pozitive të hyjë në trupin tuaj. 

Shumë njerëz preferojnë diçka që mund ta nisin vetë në çdo moment, pa ndihmën e askujt. A është një instruktor joge i nevojshëm?

Në fillimet e tua, po, ke shumë nevojë për një instruktor. Ka pozicione fillestare që janë të lehta për t’u mësuar dhe mund t’i kapësh nga YouTube, por nuk do të arrish maksimumin tënd. Joga nuk është thjesht një set ushtrimesh dhe nuk të hyn në punë nëse nuk ke një kuptim të mirëfilltë se çfarë dobie ka një ushtrim specifik. Vetëm, do të të duhet një kohë shumë e gjatë që të shohësh përmirësime, kurse në klasë mund ta bësh për 1 ose 2 muaj. Ne kemi kuruar njerëz me probleme në shpinën kurrizore dhe me qafën, gjë që ata nuk do ta arrinin vetë.

Në fund, Jonida u pyet për përfitimet e drejtpërdrejta të jogës dhe kishte këtë për të thënë:

Së pari, mentale. Ajo ndikon në sistemin nervor, problemet e ndryshme të shtyllës kurrizore dhe mbi të gjitha tek postura. Organet mbushen me oksigjen më shumë, pastrohen më kollaj, promovohet qarkullimi i gjakut i mirëfilltë. Konsideroje veten sikur je në Matrix, joga të bën të lumtur, të ndihmon të shohësh e kuptosh lumturinë tënde të brendshme dhe largon shqetësime të botës fizike. Në jetën tonë, ne shtypim të gjithë emocionet negative dhe i mbartim brenda vetes, duke dëmtuar balancën tonë të brendshme. Joga ndihmon për t’u rikuperuar në këtë aspekt.