Aktualitet

Zjarr në Malësi të Madhe, pranga një 43-vjeçari!

I vuri zjarrin një sipërfaqeje me bimësi në Vukpalaj të Malësisë së Madhe, arrestohet 43-vjeçari. Dy ditë më parë, dyshohet se ndezi zjarr në një sipërfaqe me shkurre, në vendin e quajtur “Vukpalaj i Sipërm”. Përhapja e flakëve përfshiu dhe një pjesë të pyllit të fshatit.  Policia Shkodër apelon për të gjithë banorët, në veçanti ata që kanë në përdorim sipërfaqe me kullota, të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i informacioneve dhe provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, u bënë identifikimi dhe ndalimi i shtetasit:

A. Q., 43 vjeç, banues në fshatin Goraj.

Ky shtetas dyshohet se më datë 27.07.2024, i ka vënë zjarrin një sipërfaqeje toke me shkurre, në vendin e quajtur “Vukpalaj i Sipërm”, i cili është përhapur duke përfshirë një pjesë të pyllit të fshatit Vukpalaj.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.

Vazhdimisht, autoritetet paralajmërojnë zjarrvënësit se do të përballen me ndëshkime ligjore të ashpra deri me burg. Zjarret janë një problematikë e përsëritur në stinën e verës me rastet e zjarrvënieve të qëllimshme dhe zjarret që dalin nga kontrolli, të favorizuara nga temperaturat që sa vijnë e bëhen më të larta.

Çdo ditë, burime zyrtare po raportojnë vatra në territorin shqiptar e në disa raste, për shuarjen e tyre kërkohet edhe ndihmë nga jashtë. Forcat zjarrfikëse, po ashtu, ndihmohen nga efektivë të Forcave të Armatosura që përfshihen në betejat me zjarret. Një tjetër problematikë lidhet me terrenin. Në rastet kur paraqitet i vështirë, ngadalësohen përpjekjet për vënien nën kontroll e shuarjen e flakëve.