Rreth 9 mijë biznese kanë rritur fondin e pagave me rreth 1.25 miliardë lekë në tetor, si një reagim ndaj nismës anti-informalitet në tregun e punës që ka nisur Administrata Tatimore. Gjithashtu dhe të ardhurat nga kontributet ishin 6% më të larta sesa plani në tetor.
Në datën 1 tetor, Administrata Tatimore u ka dërguar një njoftim të përgjithshëm (pop up) 130 mijë tatimpaguesve në Republikën e Shqipërisë, të regjistruar deri në fund të shtatorit 2024.
Mesazhi kishte në fokus ndërgjegjësimin dhe nxitjen e tatimpaguesve për deklarim të saktë në listëpagesat e tyre deri më 20 tetor, datë që përkonte me dorëzimin e deklaratës së listëpagesës për muajin shtator.
Pas këtij njoftimi për nismën e qeverisë shqiptare kundër informalitetit të pagave, me pasoja në pensionet e qytetarëve, Administrata Tatimore njoftoi se analizoi mbi bazën e riskut të gjitha listëpagesat e deklaruara për të identifikuar tatimpaguesit, që kanë reflektuar dhe tatimpaguesit me riskun e mosdeklarimit real të pagave.
Si rezultatet i kësaj fushate, 9.000 tatimpagues kanë reaguar pozitivisht duke reflektuar saktësi në deklaratatat e listëpagesave të tyre, pas njoftimit të parë të Administratës Tatimore, duke rritur fondin e deklaruar të pagave me një total prej 1.25 miliard lekësh.
Gjithashtu për muajin tetor 2024, Administrata Tatimore ka arritur një rritje të ndjeshme në mbledhjen e kontributeve, duke grumbulluar 819 milionë lekë ose 6% më shumë se plani i parashikuar.
Pas rezultateve të arritura nga analiza e të gjitha listëpagesave të deklaruar në muajin tetor 2024, Administrata Tatimore ka identifikuar 37.331 tatimpagues me risk në fushën e informalitetit të pagave, ata të cilët pavarësisht njoftimit të parë nuk kanë reaguar ende.
Për këto 37.331 tatimpagues, DPT ka dërguar një tjetër njoftim (pop up), këtë herë të personalizuar, për ti dhënë bizneseve mundësinë e dytë dhe të fundit për të reaguar, në të kundërt do të jenë objekt kontrolli dhe monitorimi në zbatim të sipas Ligjit 9920/2008, ‘Për Procedurat Tatimore në RSH’, i ndryshuar dhe Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995 ‘Kodi i Punës i Republikës së Shqiperisë’ i ndryshuar”.