Ndërsa sot Tirana përkujton 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë, në ceremoninë e nderimit pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur morën pjesë një numër i madh personalitetesh, përfaqësues të qeverisë, veteranë të LANÇ-it dhe qytetarë. Kryebashkiaku Erion Veliaj:
80 vjet më pas, Tirana dhe Shqipëria janë më të forta se kurrë! Para dy vitesh, Tirana mbajti titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Qyteti Europian i Sportit ndërsa vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Falë atij çlirimi e dinjiteti, sot Tirana është më Europiane, më e zhvilluar dhe më e përparuar se kurrë më parë. Sot ne festojmë lirinë por njëkohësisht reflektojmë për përgjegjësinë tonë si qytetarë, për të mbrojtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi të çmuar. Le të jetë kjo ditë një kujtese e përhershme se sakrifica dhe uniteti janë çelësi për një të ardhme më të ndritur.
Një tjetër luftë vazhdon sot. Lufta ndaj një armiku që nuk ka uniformë dhe as armë, por që ngjitet si një hije e së shkuarës në mendësitë e vjetra dhe zakonet që na mbajnë peng. Sot, barrikadat nuk janë më prej karrocash, karrigesh apo mobiliesh të vjetra, por prej frikës dhe hezitimit për të ndryshuar e për të përqafuar progresin. Fasadat e dëmtuara nuk janë më nëpër rrugë, por në mendjet tona, ku shpesh mbajmë të pandryshuara besimet që i përkasin një kohe tjetër. Si atëherë, kjo është një betejë rrugë më rrugë, ide më ide, mendje më mendje dhe zemër më zemër. Si atëherë, kërkon guxim për të ngritur flamurin e një të ardhmeje më të mirë se sa e sotmja.
Veliaj nënvizoi se ashtu si partizanët kapërcyen ndasitë për çlirimin e Tiranës, sot qytetarët duhet të ngrihen mbi ndasitë dhe konfliktet e panevojshme, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më moderne e më solidare.
Ashtu si partizanët u ngritën mbi ndasitë e kohës për të çliruar Tiranën, ne sot ngrihemi mbi egoizmin, ndarjet dhe përplasjet e panevojshme për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të fisme, më të hapur, më solidare e më moderne. Por mbi të gjitha, më progresiste e më të përparuar.
Historia na mëson se çdo çlirim kërkon sakrifica dhe ndonjëherë ato sakrifica janë të heshtura. Të braktisim mendësitë që na mbajnë prapa, të pranojmë të renë e të guxojmë të sfidojmë traditat që nuk kanë më vend në të sotmen. Çdo brez ka luftën e tij dhe ndonëse e jona nuk ka predha e mortaja, kërkon të njëjtën forcë shpirtërore e të njëjtin idealizëm. Siç mësoi Tirana atë mëngjes të çlirimit, çdo shkatërrim, sado i madh, mund të jetë fillimi i një jete të re. Kjo vlen si për qytetet ashtu edhe për zemrat dhe mendjet tona. Sakrifica është çmimi që paguajmë për lirinë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali deklaroi se lufta për Tiranën dhe çlirimi i Shqipërisë janë një testament historik, busull morale, për orientimin e shoqërisë shqiptare për të bërë zgjedhjet e duhura në këto kohë sërish dramatike për njerëzimin.
Antifashizmi është një nga vlerat më të mëdha të qytetetërimit europian të së shkuarës së afërme e një nga garancitë më solemne të së ardhmes. Sot Shqipëria është rreshtuar në anën e duhur të historisë, duke zgjedhur dritën mbi errësirën, të drejtën përpara forcës së egër, lirinë e sakrificën, për liri bazuar në vlerat më të mira të njerëzimit. Shqipëria Europiane, të cilës i jemi përkushtuar me premtimin se për pak vjet do ta bëjmë anëtare të denjë të Bashkimit Europian, padyshim është pjesë e këtij testamenti historik me rrënjët në Shqipërinë antifashiste.