Aktualitet

30 vjet nga lëvizja studentore Dhjetor ’90

Sot shënohet Dita Kombëtare e Rinisë, në nderim të Lëvizjes Studentore të 8 Dhjetorit 1990.

Në këtë date, 30 -vite më parë, studentë të universiteteve të Tiranës të mbështetur nga pedagogë, u bënë nismëtarë e protagonistë të protestave paqësore që sollën pluralizimin dhe rënien e komunizmit.  Me një vendim të vitit 2009 të Kuvendit të Shqipërisë, 8 Dhjetori përkujtohet si festë kombëtare.

Me rastin e 8 Dhjetorit nuk mungojnë mesazhet e politikës. Ndër të tjera, Presidenti Meta shkruan: “Nderojmë shpërthimin e vullkanit të guximit marramendës rinor për të përmbysur regjimin më të ashpër izolues dhe shtypës në kontinent, por ndihemi dhe po aq borxhlinj që në tre dekada nuk kemi bërë aq sa duhet për të qenë aty ku e meritonin sakrificat e tyre”.

Sipas kreut të shtetit “Eshtë koha për restart! Për të guxuar! Për t’u bashkuar! Që Rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të mbarë vendit!”.

Si pjesë e lëvizjes së 30 viteve më parë, kryeministri Rama shkruan se “Bëhen plot 30 VJET sot nga dita, apo më saktë mbrëmja e daljes së studentëve në rrugën pa kthim të daljes prej diktaturës”. Rama i përshkruan si “Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë”. “Një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit, pavarësisht thinjave të shtuara me një shpejtësi marramendëse në këto vite”, – shprehet kryeministri.

Nuk mungoi as mesazhi i kreut demokrat. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa! 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut dhe fituan”, – shkruan Basha. “Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, – thekson kreu i opozitës.