Një grua në Tajlandë është dënuar me vdekje pasi akuzohet për vrasjen e 14 miqve të saj me cianid. Gjykata në Bangkok e shpalli Sararat Rangsiwuthaporn fajtore për helimimin përmes ushqimit të një mikeshe të pasur, ndërsa ishin në një udhëtim vitin e kaluar. Familjarët e viktimës refuzuan të pranonin se ajo vdiq për shkaqe natyrale dhe një autopsi gjeti gjurmë cianidi në trupin e saj. Policia arrestoi Sararatin dhe zbuloi vdekje të tjera të ngjashme që nga viti 2015. Policia thotë se Sararat, e quajtur tashmë “Am Cyanide” nga mediat tajlandeze, kishte varësi nga bixhozi dhe shënjestronte miqtë që u kishte borxh, të cilëve më pas iu vodhi bizhuteritë dhe sendet e tyre me vlerë.
Sararat udhëtoi me shoqen e saj Siriporn Khanwong, 32 vjeç, në provincën Ratchaburi, në perëndim të Bangkok në prill 2023, ku morën pjesë në një ritual budist në një lumë. Siriporn ra pa ndjenja dhe vdiq pas një vakti që konsumoi me Sararat, e cila nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndihmuar atë. Ish-bashkëshorti i saj, një ish-oficer policie dhe avokati i saj, u dënuan me një vit e katër muaj dhe dy vjet burg, respektivisht, për fshehjen e provave për ta ndihmuar atë të shmangte ndjekjen penale. Ish-bashkëshorti, Vitoon Rangsiwuthaporn, u dorëzua vitin e kaluar. Policia tha se ai ka shumë të ngjarë të ketë ndihmuar Sararatin të helmonte ish të dashurin.