Bota

Rusia kryen sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës!

Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore në Ukrainë, sipas Kievit zyrtar. Dronët dhe raketat shënjestruan infrastrukturën e energjisë e atë civile në qytetet në mbarë vendin, duke detyruar Poloninë fqinje që të aktivizonte avionët luftarakë për të monitoruar situatën.

Rusia ka kryer një nga sulmet më mëdha ajrore: dronët dhe raketat janë lëshuar drejt qyteteve paqësore, civilëve që po flinin e ndaj infrastrukturës kritike. Kjo është përgjigja e vërtetë e kriminelit të luftës Putin, për të gjithë ata që e kanë telefonuar dhe e kanë vizituar kohët e fundit. Na duhet paqe përmes forcës, jo përmes zbutjes së qëndrimit, shkroi në X ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha.

Shpërthime u raportuan mëngjesin e sotëm në kryeqytetin ukrainas, Kiev, si edhe në të tjera qytete në mbarë Ukrainën, përfshirë Odesën në Detin e Zi e qytetin juglindor të Zaporizhjës.

Raketat ruse goditën infrastrukturën e energjisë në mbarë Ukrainën, duke detyruar autoritetet që të nisnin ndërprerjet e energjisë, raportoi ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko.

Sulmi masiv vjen kur pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po shkon drejt ditës 1000. Rusia ka shpenzuar sasi të mëdha armësh dhe ka humbur shumë njerëz për të bërë përparim të vogël por të qëndrueshëm territorial. Deri më tani ka nën kontroll pothuajse një të tretën e territorit të Ukrainës.

Ndërkaq, Ukraina po përballet me vështirësi që të minimizojë humbjet, të mbajë lart moralin e të bindë aleatët se me më shumë ndihmë ushtarake mund ta kthejë rrjedhën e luftës në favor të saj. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, u shpreh se shumë shpejt, ai do t’i japë fund luftës edhe pse nuk është e qartë se si do ta arrijë këtë.

Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, sot shtynë Poloninë që të ngrinte në qiell avionët luftarakë.

Për shkak të sulmit masiv nga Federata Ruse duke përdorur raketa lundruese, balistike dhe dronë, avionët polakë e të aleatëve kanë nisur të operojnë në hapësirën tonë ajrore, njoftoi komanda operacionale e forcave të armatosura të Polonisë, shtet anëtar i NATO-s.

Kemi aktivizuar të gjitha forcat dhe burimet në dispozicion, avionët luftarakë janë ngritur në qiell dhe sistemet e mbrojtjes ajrore e radarët janë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë.

Ministri ukrainas i Energjisë, Halushchenko theksoi në Telegram:

Po vazhdon një sulm masiv ndaj sistemit tonë të energjisë. Forcat ruse po sulmojnë infrastrukturën e prodhimit të energjisë dhe linjat e transmetimit në mbarë Ukrainën.