Bota

Tërmet i fuqishën 5.9 Rihter në Turqi, ja ku ishte epiqendra!

Dridhet toka, Turqia tronditet nga një tërmet me magnitudë 5,9 i shkallës Rihter. Lëkundja që shkaktoi panik në qytetin Malatya u regjistrua në orën 10:46 sipas asaj lokale.

Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se epiqendra ishte në Kale të Malatya-s, në rajonin e Anadollit Lindor e në 10,7 kilometra thellësi.

Tërmeti u ndje në provincat e afërta duke përfshirë ato Diyarbakir, Elazig, Sanliurfa dhe Tunceli, si dhe në disa pjesë të Sirisë së veriut. Në të gjithë rajonin, njerëzit dolën me nxitim nga shtëpitë dhe zyrat, të frikësuar. Më shumë se një orë pasi goditi tërmeti, shumë prej tyre, ende ishin duke pritur në rrugë dhe parqe, duke hezituar të ktheheshin brenda nga frika e vazhdimit të aktivitetit sizmik. Shkollat ​​u urdhëruan të mbyllen në Malatya e në Elazig.

Në Elazig, shumë persona raportuan se pësuan lëndime të lehta pasi u hodhën nga dritaret nga paniku, siç bëri të ditur kryebashkiaku Sahin Serifogullari. Rreth 20 episode të tilla u konfirmuan në Malatya, referuar lajmeve të televizionit HaberTurk.

Malatya ishte një nga 11 provincat që u shkatërrua nga një tërmet i fuqishëm që goditi pjesë të Turqisë dhe Sirisë veriore vitin e kaluar. Më shumë se 53 mijë njerëz u vranë në Turqi, në shkurt të 2023-shit.