Rajoni

Grenell: E ardhmja e Serbisë pranë SHBA-ve, jo Kinës e Rusisë!

“Ish i dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit e Prishtinës, Richard Grenell tha se e ardhmja e Serbisë është pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo Kinës e Rusisë”. Siç raporton Zëri i Amerikës, zyrtari i administratës së ish-presidentit Donald Trump deklaroi se “beson se mes SHBA-ve e Serbisë ekziston një miqësi e sinqertë, pavarësisht se kush është në pushtet”.

Unë flas rregullisht me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe i them se duhet të shkëputet nga Rusia dhe Kina e të afrohet me Perëndimin dhe SHBA-të. Si një amerikan, shpesh jap këshilla të tilla e nuk hezitoj që të promovoj vlerat e Perëndimit.

Richard Grenell ishte ndër të ftuarit në takimin me temë “Serbia përtej së ardhmes” e që u organizua në Nju Jork nga Misioni i Përhershëm i Serbisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ish-zyrtari i administratës Trump ka mbetur i afërt me përfaqësuesit e pushtetit në Serbi edhe pas largimit nga detyra.

Në tetor të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë i dorëzoi një dekoratë shtetërore dhe vlerësoi se “roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit e Prishtinës, jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por gjithashtu ka qenë kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-ve e Serbisë”.

Pyetjes së gazetarëve për gjendjen aktuale në Kosovë, ish-zyrtari, i cili ende është aktiv në fushatën e Donald Trump-it, iu përgjigj duke adresuar kritika ndaj administratës së presidentit Joe Biden.

Jam shumë i zhgënjyer që e gjithë puna e mirë që ka bërë presidenti Trump në rajon është hedhur poshtë.

Sipas raportimit të Zërit të Amerikës, për shkak të ndërhyrjes nga zyra e shtypit e presidentit të Serbisë, Grenell nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve të kësaj medieje në lidhje me investimin e dhëndrit të Trump-it, Jared Kushner, në ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Shteti serb ka nënshkruar kontratë me kompaninë e Kushner-it për “rivitalizimin” e kompleksit të ish-Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit dhe që u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s, në vitin 1999.

Ish-zyrtari i administratës Trump, shpesh ka folur publikisht me lëvdata për projektin e dhëndrit të Trump-it në Beograd. Ndër të tjera, Grenell vlerësoi se ndërtesa simbol i konfliktit, mund të shndërrohet në urë miqësie mes Serbisë e SHBA-ve.

Në vendin e rrënojave nga bombardimet planifikohet ndërtimi i dy objekteve të lartë me apartamente dhe hotele edhe pse nga kjo godinë e ndërtuar mes viteve 1955 e 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes si “pasuri kulturore”.