Rajoni

Një vit nga sulmi në Banjskë të Kosovës!

Sot mbushet një vit nga sulmet e Banjskës. Pak pas mesnatës së 24 shtatorit 2023, Policia e Kosovës nisi forcën e parë të reagimit drejt urës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Operacioni çoi në vrasje e plagosje të policëve. Kriminelë serbë të armatosur kishin hyrë brenda territorit të Kosovës. 24 shtatori shënon një prej datave më të rënda për historinë e vendit. Policia u përball me sulm terrorist.

Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë. Babai i tre fëmijëve, heroi më i ri i shtetit të Kosovës, u qëllua nga dy drejtime në afërsi të kësaj ure e si pasojë e të shtënave u plagosën edhe dy policë të tjerë.

Në orët e para të mëngjesit, kryeministri Albin Kurti tha se “në Banjskë të Zveçanit po sulmohet shtetësia e vendit”. Njoftoi dhe për vrasjen e Bunjakut e plagosjen e dy policëve të tjerë rreth orës 03:00 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023.

U dëgjuan krisma dhe sulmi nuk po përfundonte. Terroristë serbë me veshje ushtarake ishin vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij. Këtij grupi po i printe Milan Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe i kërkuar nga institucionet vendase si i përfshirë në vrasje.

Konfrontimi me Policinë e Kosovës vijoi përgjatë gjithë 24 shtatorit. Mbetën të plagosur Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi. Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë dhe në orët e vona të natës u mor nën kontroll manastiri. Shumica e terroristëve u arratisën nëpër rrugët malore për në Republikën e Serbisë.

Familja Bunjaku hapi dyert për ngushëllime. Nga shtëpia e heroit, Kurti deklaronte:

Pikëllimi është i thellë, dhembja është e madhe por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificën e Afrimit. Në betejën e Kosovës për rend, ligj e kushtetueshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe liri për të gjithë pa dallim kundër kriminelëve dhe terroristë të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht nga Serbia, do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës.

Për sulmin reaguan dhe ndërkombëtarët. Por, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup “serbësh të dëshpëruar”.

Me ceremoni e nderime të larta shtetërore u varros Afrim Bunjaku në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë. 25 shtatori 2024 u shpall ditë zie për Kosovën.

Një ditë pas përfundimit të operacionit, policia ekspozoi se çfarë gjeti në Banjskë. Automjete të blinduara, makina si të KFOR-it gjerman, granata-hedhës, radiomarrëse, harta e artileri të rëndë, por edhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët.

Në objektet brenda dhe vetura janë gjetur harta dhe plane, që tregojnë për organizimin e gjatë të mirë menduar dhe bashkërenduar. Këto harta dhe dokumente janë dëshmi se këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me grupe lokale por organizim terrorist që është udhëhequr dhe organizuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendorë e të huaj se për këtë sasi armatimi, këtë organizim dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka asgjë të bëjë me një organizim të shpejtë, pati deklaruar Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

Institucionet kanë kërkuar nga aleatët ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë për të dorëzuar kriminelët e Banjskës. Dy herë radhazi, përmes Ministrisë së Drejtësisë, institucionet i janë drejtuar Serbisë me kërkesën për ofrim të provave. Serbia ka refuzuar, madje ka kërkuar që autoritetet vendore të dorëzojnë provat që ka Kosova për sulmin në Banjskë.

Në fillim të këtij muaji, gati pas një viti, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë. Në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radojiçiç, si udhëheqës i grupit.

Ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa akuzohen edhe për financim të grupit e pastrim parash.

Në 1-vjetorin e sulmit në Banjskë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët për tre ditë.