Bota

Në solidaritet me Trump-in, Biden përsërit: Nuk ka vend për dhunën politike në SHBA!

Presidenti Joe Biden reagoi sërish pas të dytës përpjekje për atentat ndaj paraardhësit Donald Trump, duke e quajtur dhunën politike “një veprim jo-amerikan”.

Nuk ka vend për dhunë politike në Amerikë. Asnjëherë!

Në një konferencë të kolegjeve dhe universiteteve afro-amerikane në Filadelfia, theksoi:

Në Amerikë, ne i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në mënyrë paqësore, në kutinë e votimit. Jo me tytën e një arme. Amerika ka vuajtur shumë herë tragjedinë e plumbit të një vrasësi. Kjo nuk zgjidh asgjë dhe thjesht përçan vendin.

Komentet erdhën rreth 24 orë pasi agjentët e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara pikasën një person të dyshuar të armatosur në fushën e golfit të ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Më vonë dje në mbrëmje, Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate se presidenti Biden zhvilloi një bisedë të përzemërt në telefon me ish-presidentin Trump lidhur me atentatin ndaj tij në Florida. Ndërkaq, përmes një deklarate të lëshuar nga drejtuesit e fushatës së tij, Trump u shpreh:

Ne patëm një telefonatë shumë të mirë. Biseda kishte të bënte me mbrojtjen nga Shërbimit Sekret. Ekipi i fushatës së tij nuk dha më shumë detaje rreth bisedës telefonike.

Shërbimi Sekret hapi zjarr pasi njëri prej agjentëve pikasi grykën e pushkës që dilte nga shkurret të dielën, mbi 300 metra pranë fushës ku ish-presidenti po luante golf. I dyshuari u largua me një makinë fuoristradë, thanë autoritetet. Oficerët e policisë gjetën të lëna pas një armë gjysmë automatike të mbushur me municion (SKS) dhe të pajisur me një dylbi snajperi, një kamera dixhitale dhe një qese plastike me ushqime.

I dyshuari, i identifikuar me emrin Ryan Routh, i moshës 58 vjeçare, u arrestua rreth 40 minuta pasi kishte udhëtuar me makinë përgjatë autostradës drejt veriut, I-95. Kur u pyet a e dinte se përse po e ndalonin, Routh “u përgjigj në mënyrë pohuese.

Targat e vendosura në automjet ishin raportuar si të vjedhura nga një makinë tjetër. Ndaj të dyshuarit u ngritën akuza për shkelje të ligjit për armëmbajtje në një gjykatë federale.

Kandidati republikan për president në zgjedhjet e këtij viti që mbahen më 5 nëntor nuk u dëmtua fizikisht. Por, ky incident ngre pikëpyetje të reja se si dyshuari i armatosur arriti t’i afrohet, vetëm dy muaj pasi një tjetër person i armatosur hapi zjarr më 13 korrik gjatë një tubimi në Butler të Pensilvanisë, duke e plagosur ish-presidentin në veshin e djathtë.