Bota

75-vjetori i raporteve diplomatike, Kina e Koreja e Veriut do të thellojnë bashkëpunimin!

Drejtuesit e Kinës e të Koresë së Veriut janë zotuar që të thellojnë bashkëpunimin dypalësh. Pikërisht sot, këto dy shtete kanë shënuar 75-vjetorin e vendosjes së raporteve diplomatike, siç raportoi media shtetërore e lajmeve koreano-veriore, KCNA.

Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të raporteve mes Kinës dhe Koresë së Veriut, tha presidenti kinez, Xi Jinping, në mesazhin dërguar liderit të Veriut komunist, Kim Jong Un.

Xi tha se Kina është e gatshme që “të shkruajë një kapitull të ri” në raportet mes dy vendeve, duke forcuar komunikimin, si dhe bashkëpunimin. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Koresë së Veriut. Të dyja shtetet kanë një histori të bashkëpunimit që daton nga mbështetja që Pekini i pati dhënë Phenianit gjatë Luftës Koreane të viteve 1950-1953 e që çoi në krijimin e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut.

Por, Kina reagoi me kujdes në muajin qershor kur Kim thelloi raportet me presidentin rus, Vladimir Putin. Gjatë këtij viti, Koreja e Veriut dhe Rusia kanë nënshkruar një traktat strategjik, që përfshin edhe elemente të mbrojtjes së përbashkët. Ndërkaq, në mesazhin e tij dërguar Xi-së, Kim Jong Un u zotua për “konsolidimin dhe zhvillimin e raporteve miqësore e bashkëpunuese mes dy shteteve, ashtu siç kërkohet nga epoka e re”.

Koreja e Veriut pritet që të ndryshojë Kushtetutën e saj për të hequr dorë nga qëllimi i vjetër për bashkim paqësor me Jugun e për të ripërcaktuar kufijtë me Korenë e Jugut. Sipas ekspertëve, kjo lëvizje mund të përshkallëzojë tensionet në Gadishullin Korean. Për ndryshimet në fjalë, Parlamenti i Koresë së Veriut do të mblidhet nesër.

Në janar, lideri komunist koreano-verior kërkoi ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që Koreja e Jugut të shihet si “armiku kryesor”, duke shtuar se Koreja e Veriut duhet të planifikojë “pushtim dhe rimarrje” të Koresë së Jugut në rast të një lufte.

Ka shqetësime se Koreja e Veriut mund të kërkojë bashkimin me forcë, përfshirë edhe përmes përdorimit të armëve bërthamore.

Kim ka kërcënuar disa herë se nuk do të hezitojë të përdorë armë bërthamore nëse sulmohet nga Koreja e Jugut dhe aleati i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.