Aktualitet

7 të plagosur në dy aksidente në veri e në jug të vendit!

Aksident automobilistik në Fier-Seman, pranë fshatit Fermë-Çlirim ku dy automjete u përplasën e njëri prej tyre doli nga rruga dhe përfundoi në kanal. Për këtë shkak, një person mbeti i plagosur e me urgjencë u dërgua në Spitalin e Fierit për trajtim mjekësor. Policia nisi hetimet për të përcaktuar shkaqet.

Ky nuk është i vetmi aksident në rrugët e vendit. Më herët u njoftua se në rrugën e Kombit, në segmentin Milot-Rrëshen, 6 persona u plagosën nga përplasja e dy automjeteve, një fuoristradë dhe një autoveturë. Katër prej tyre janë gra, që udhëtonin në autoveturë. Ende nuk dihen shkaqet. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.

Në një tjetër zhvillim, një 54-vjeçar ra në prangat e policisë për një aksident rrugor me një viktimë, të shkaktuar mbrëmjen e djeshme në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Uniformat blu njoftojnë se me makinën që drejtonte përplasi për vdekje një këmbësore. Gruaja e moshës 62-vjeçe ishte banuese në Tiranë. I arrestuari në flagrancë akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Njoftimi policor:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, ju informojmë se Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin E. M., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi automjeti që drejtonte, ka përplasur këmbësoren shtetasen H. M., 62 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila si pasojë e përplasjes ka humbur jetën.

Vitin e kaluar, numri i aksidenteve rrugore shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve me leje drejtimi 0-3 vjet ka rënë me 12.9%, krahasuar me një vit më parë, pra 2022-shin. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin mbi aksidentet për vitin 2023.

Drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vite leje drejtimi kanë shkaktuar 40% të aksidenteve, ndjekur nga kategoria 6-9 vjet leje drejtimi që zë 18.8%. Ndër të aksidentuarit (të vrarë dhe të plagosur) gjatë tre viteve të fundit, meshkujt zënë rreth 70% të të aksidentuarve gjithsej.

Drejtuesit e mjeteve të moshës 25-34 vjeç, shkaktojnë numrin më të lartë të aksidenteve, ku të aksidentuar janë më shumë meshkuj 71% dhe 29% femra. Megjithatë vihet re se janë meshkujt ata që zënë përqindjen më të lartë të të aksidentuarve për çdo grupmoshë të drejtuesit, duke lënë të kuptojmë se drejtuesit meshkuj janë ata që kryejnë pjesën më të madhe të aksidenteve rrugore.