Aktualitet

7 makina të shkrumbuara në Kamëz/Biznesit të makinave me qira i vihet flaka!

Një zjarr i madh ra në orët e para të mëngjesit në një biznes për dhënien e automjeteve me qira në Kamëz, në pronësi të shtetasit Edjon Hoxha. Policia sqaroi se ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 në rrugën “Donald Trump” e si pasojë e flakëve u dogjën 7 automjete.

Gazetarja Dorjana Bezat siguroi pamjet për Top Channel, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri është vënë në mënyrë të qëllimshme.

Po ashtu, referuar pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, janë konstatuar dy persona që në duart e tyre mbanin shishe me lëndë djegëse. Dyshohet se ata janë futur brenda mjediseve të biznesit dhe i kanë vënë flakën automjeteve.

Nuk raportohen të lënduar, por dëmet materiale konsiderohen të mëdha. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.