Aktori i njohur, Kevin Spacey po përballet me 7 akuza të reja seksuale. Ylli 63-vjeçar i Hollivudit akuzohet nga autoritetet britanike për një seri sulmesh seksuale ndaj një burri që dyshohet se kanë ndodhur midis viteve 2001 dhe 2004. Spacey akuzohet se ka kryer një akt seksual pa pëlqimin e personit. Akuzat e reja dolën pas një hetimi nga Policia Metropolitane, sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS).
Ndërkaq, Spacey ka mohuar për herë të parë përpara gjykatës, akuzat e ngritura ndaj tij, për ngacmim seksual nga aktori Anthony Rapp, i cili këmbëngul se Spacey e ka sulmuar seksualisht në vitin 1986, kur ai ishte vetëm 14 vjeç. Rapp, tashmë 50 vjeç, e dha dëshminë e tij në shtator, ku edhe njëherë akuzoi drejtpërdrejtë aktorin Kevin Spacey, në atë kohë 26 vjeç dhe punonte në “Broadway”, se e sulmoi seksualisht në një festë në Manhatan.
Kevin ka fituar çmimin Oscar për rolin e tij në filmin “American Beauty” dhe çmimin si aktori më i mirë mashkull në filmin “The Usual Suspects”, por karriera e tij u shkatërrua pas më shumë se 20 akuzave ndaj tij, nga meshkuj të ndryshëm, për abuzime seksuale. Netflix e përjashtoi aktorin nga drama “House of Cards”, ndërsa Christopher Plummer e zëvendësoi për rolin në filmin “All the Money in the World”.