Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

6 kilogramë për 5 ditë?! Njihuni me dietën “magjike”…

Paul Nicolau, biznesmen i njohur në Rumani, befasoi me njoftimin se brenda 5 ditësh kishte mundur të hiqte 6 kilogramë dhe i tregoi ndjekësve sekretin e tij qe ishte dieta me ujë. Dieta me ujë është një nga më të famshmet në botë. Përveç sasisë së duhur të ujit dhe hidratimit të organizmit përmes një ushqyerjeje të pasur me fruta dhe perime, është e nevojshme që të ndiqni disa këshilla.

Gjatë gjithë ditës, është mirë që të pini tetë deri në dhjetë gota ujë. Por mos harroni asnjëherë që t’i pini përpara vakteve. Në këtë mënyrë do të keni më pak uri, ndërsa marrja e kalorive do të eliminohet disi. Një studim që ka përfshirë 48 vullnetarë, ka treguar se pirja e ujit përpara mëngjesit, çon në një reduktim të peshës trupore. Nëse këtë zakon e lidhni me një dietë të reduktuar kalorish, mund të arrini deri te një humbje prej pesë kilogramësh në tri javë.

Nëse dëshironi të humbisni peshë pa bërë shumë sforco kujtohuni të pini ujë të gazuar. Flluskat lejojnë që ta arrini shpejt ndjesinë e ngopjes gjatë vakteve. Nuk duhet ta ekzagjeroni, sepse një sasi e madhe uji shkakton efekte të padëshiruara, sidomos për personat që kanë probleme me veshkat dhe zemrën. Hidratimi i trupit nuk vjen vetëm për shkak të ujit që konsumohet gjatë gjithë ditës, por edhe nga të gjitha ushqimet e pasura me lëngje, veçanërisht nga frutat dhe perimet.

Për t’u dobësuar me dietën e ujit, shmangni ushqimet e skuqura, të cilat ju bëjnë që të shëndosheni më shumë. Preferoni më mirë ushqimet e ziera apo ato të përgatitura në avull. Ndërkohë, zëvendësojeni gjalpin dhe vajin e lulediellit, me vaj ulliri ekstra të virgjër. Reduktoni sasinë e kripës. Lejohet që të pini vetëm dy kafe në ditë. Ju sugjerojmë një në mëngjes dhe tjetrën pas drekës. Gjatë pasdites, preferoni një çaj bimor, i cili ju ndihmon të humbni peshë.

Që makaronat dhe buka na shëndoshin është vetëm një mit. Në vend që t’i zëvendësoni me ushqime të tjera, mësohuni që të hani për shembull një sasi më të paktë makaronash të përgatitura me salcë dhe borzilok. Ndërsa në rastin e bukës, preferoni atë integrale. Për t’u dobësuar është mirë që të limitoni konsumin e mishit të kuq. Është mirë që këtë të fundit ta zëvendësoni me atë të bardhin. Gjithsesi mos e konsumoni më shumë se tri herë në javë.