Bota

6.5 miliardë dollarë ndihmë amerikane për sigurinë izraelite që nga 7 tetori!

Që nga 7 tetori i vitit të kaluar e deri më tani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Izraelit ndihmë sigurie me vlerë rreth 6.5 miliardë dollarë duke shkaktuar vrasjen e rreth 40 mijë palestinezëve në Rripin e Gazës, aty ku shteti hebraik po lufton me Hamasin, grupin radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga SHBA-të e nga Bashkimi Europian.

Lajmi i publikuar nga gazeta e njohur “The Washington Post”, bazuar në burime të një zyrtari amerikan të paidentifikuar, zbulon se Amerika i ka dhënë mbështetje intensive Izraelit për sulmet e kryera në Gaza e që nuk ndalen.

Sasia e ndihmës në fjalë u zbulua këtë javë kur delegacioni izraelit i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant u takua me homologët amerikanë dhe kjo si pjesë e takimeve të tyre në Uashington.

Vetëm gjysma e ndihmës së sigurisë prej 6.5 miliardë dollarësh të ofruara nga SHBA-të për Izraelin që nga 7 tetori i kaluar, u transferua në muajin maj, kur tensionet me grupin militant Hezbollah në kufirin libanez u intensifikuan me pritshmëritë për t’u kthyer në luftë.

Delegacioni izraelit i kryesuar nga ministri Gallant e që zhvilloi bisedime në Uashington dhe homologët e tyre amerikanë, krahas negociatave në vazhdim për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza, diskutuan për skenarët e mundshëm për “të nesërmen” pasi Izraeli të përfundojnë sulmet atje e që janë kthyer në burim shqetësimi lidhur me gjendjen humanitare.

Ministri izraelit Gallant e përshkroi ristrukturimin e administratës së Gazës pas Hamasit si “një proces të gjatë dhe kompleks”. Ai ka vënë në dukje domosdoshmërinë e përfshirjes së komunitetit ndërkombëtar në administrimin e Gazës.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i 2023-shit e deri më tani janë vrarë 37 mijë e 718 palestinezë, përfshirë të paktën 15 mijë e 694 fëmijë dhe 10 mijë e 279 gra ndërsa janë plagosur 86 mijë 377 persona të tjerë.