Aktualitet

56 të arratisur nga burgjet në Kosovë që nga 2007-ta!

Që nga viti 2007 e deri më tani, nga burgjet e Kosovës janë arratisur ose nuk janë kthyer pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e kalimit të fundjavës jashtë vendit të vuajtjes së dënimit, 56 persona. Kjo u bë e ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, gjatë një konference për media.

Konferenca u mbajt pasi ditët e fundit janë arratisur dy persona nga burgjet. Eshtë fjala për shtetasit Faton Hajrizi e Ujkan Metaj. Sipas Dibranit, Hajrizi dhe Metaj kanë pasur të drejtë të kalojnë fundjavën në shtëpi dhe ata e kanë shfrytëzuar këtë gjë për të mos u kthyer më në institucionin korrektues.

Dibrani vuri në dukje se Hajrizi është dënuar me 25 vjet burg, por në vitin 2019 ai ka përfunduar gjysmën e dënimit dhe me ligjet në fuqi, ka të drejtën që fundjavat t’i kalojë në shtëpi.

I njëjti për disa herë ka shfrytëzuar këtë mundësi, pra e ka kaluar fundjavën në shtëpi, por është rikthyer në burg, theksoi Dibrani.

Hajrizi kishte qenë i burgosur në Dubravë, në institucion të tipit të hapur, që nënkupton se aty ka vendpunime e ku të burgosurve iu mundësohet të punojnë pa mbikëqyrjen e stafit. Sipas zyrtarit Dibrani, ai kishte shfrytëzuar katër herë të drejtën për të vizituar familjen për shkak të sjelljes së mirë dhe që i ka mundësuar të kalonte në institucion të tipit të hapur.

Drejtori i Shërbimit Korrektues foli edhe për të arratisurin tjetër, Ujkan Mataj, i dënuar me 11 vite burgim, për dhënie ndihme në grabitjen e një banke në Istog. Referuar Ismail Dibranit, ai kishte fituar të drejtën e kalimit të fundjavës në shtëpi janarin e këtij viti. Po ashtu ka qenë i vendosur në institucion të tipit të hapur.

Ndërkaq, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, gjatë konferencës për media tha se sapo të kapen dy të arratisurit, ata do të humbasin të gjitha privilegjet që kanë patur, pra do të kthehen në institucionin e tipit të mbyllur të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Në Kosovë janë 11 qendra të Shërbimit Korrektues e që përfshijnë qendra të paraburgimit e korrektuese, si dhe burg të sigurisë së lartë.